Me organizimin e ansamblit “Trojet” të Winterthurit të Cyrihut, komuniteti shqiptar i po këtij qyteti kremtoi Festat e Nëntorit, veçanërisht Ditën e Flamurit, 105-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në sallën e “Hotelit Töss”.
Mbrëmja festive u hap në Winterthur me intonimin e himnit kombëtar nga fëmijët e ansamblit “Trojet” dhe kori i grave “Lyra”.
Blerim Bunjaku, nënkryetar i ansamblit “Trojet”, në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi të gjithë të pranishmit për prezencën e tyre dhe ka folur për rëndësinë e Festës së Flamurit.
“28 Nëntori, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe e Flamurit kombëtar është dhe do të mbetet një ndër ngjarjet më të ndritura të popullit shqiptar. Është vlerë që duhet të ruhet dhe të kultivohet në shenjë respekti për paraardhësit tanë, për të tashmen dhe të ardhmen e brezave që do të vijnë”, tha Bunjaku.
Bunjaku ka uruar shqiptarët e mbledhur që përherë të jenë të bashkuar në harmoni me njëri-tjetrin, duke kujtuar me krenari të kaluarën, duke mbrojtur të tashmen dhe duke ndihmuar të ardhmen.
Me këtë rast, të pranishëm ishin konsulli kosovar në Cyrih, Visar Rrecaj dhe Ridvan Murati nga Qendra Kulturore e Kosovës.
Ndërsa kryetari i LAPSH-it në Zvicër, Nexhat Maloku bëri thirrje në këtë manifestim që prindërit t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe.
Pastaj ka pasuar pjesa artistike, për të cilën është përkujdesur ansambli „Trojet“ me koreografin Arsim Berisha dhe ansambli i valleve „VATRA“ nga Bülachi i Cyrihut.
Valltarët e ansamblit “Trojet” dhe “Vatra”, të vegjël dhe të rritur kanë sjellë në skenë vallet „Tirana“, “vallen e Malësisë”, vallen me motive gjakovare dhe vallen „Hatixhja“.
Madhështinë e festës në vazhdim e pasuruan këngëtarët: Flutura Bytyqi, këngëtarja e mirënjohur nga Shqipëria, Enkeleda Bashaj, Nikollë Shtufi dhe Kristë Lleshi.
Se Festa e Flamurit simbolizon bashkimin, kanë treguar me monologjet e tyre edhe aktori i njohur që kishte ardhur enkas nga Kosova, Shaqir Bejta dhe aktorja e ansamblit “Vatra”, Ilire Kozhani.
Shaqir Bejta
Ilire Kozhani
Festa vazhdoi deri në orët e vona, ndërsa nuk munguan as ushqimet nga kuzhina shqiptare, duke filluar nga pitet e llojllojshme e deri tek ëmbëlsirat.
Festa e Flamurit festohet kudo ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët, në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë dhe diasporë.