Analfabetizmi ka kohë që është shndërruar si problem edhe në Maqedoni. Në shekullin 21, të flasësh për analfabetizëm, është vërtetë e çuditshme. Por, sipas të dhënave zyrtare të Entit Shtetëror për Statistikë të Republikës së Maqedonisë, që janë të vjetra që nga regjistrimi i vitit 2002, tek ne ka 1.693.044 qytetarë të shkolluar dhe 635.562 të pashkolluar (analfabetë), shkruan gazeta KOHA.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), na thanë se nuk posedojnë të dhëna për numrin e personave që janë jashtë procesit arsimor, por se duhet të bazohemi në dhënat e fundit të ESHS-së. Zëdhënësi i MASH-it, Vlladimir Dellov, në prononcim për Gazetën KOHA, thotë se MASH-i bën përpjekje të vazhdueshme, ndaj dhe ligjërisht arsimimi fillor dhe i mesëm është obligativ për qytetarët e Maqedonisë. “Ju informojmë se në drejtim të ngritjes së arsimimit të popullatës, shkollimi fillor dhe i mesëm në Republikën e Maqedonisë, në pajtueshmëri me dispozitat pozitive ligjore, është i domosdoshëm. Në drejtim të përfshirjes së përgjithshme, të gjitha janë falas (janë siguruar libra falas si dhe transport për nxënësit që jetojnë më larg se 2.5 kilometra nga shkolla ku ndjekin mësimin). Gjithsesi, ekzistojnë masa në pjesën e përkrahjes së personave të rritur, të cilët për shkaqe të ndryshme, në të kaluarën nuk e kanë ndjekur procesin arsimor, realizohen programe për arsim te të rritur, të cilat në vazhdimësi i realizon Qendra për arsimin e të rriturve”, tha Dellov. Nga Qendra për arsimin e të rriturve thonë se për momentin, mbi 3000 të rritur janë duke ndjekur arsimim të mesëm.
“Në periudhën prej vitit 2010 deri në vitin 2017, në arsimimin e mesëm janë përfshirë 1782 nxënës, kurse në mënyrë të suksesshme atë e kanë kryer 1435 individë. Në arsim të mesëm për të rritur janë përfshirë 347 nxënës. Në vitin 2017 kanë filluar arsimin e mesëm 1242 nxënës të rinj që do të thotë janë gjithsej 3042 nxënës”, tha Lindita Qazimi, drejtore e Qendrës së arsimit të të rriturve.
Të dhënat e kësaj qendre, gjithashtu konfirmojnë se prej numrit të përgjithshëm të papunëve në Maqedoni që është mbi 23%, për momentin në Maqedoni figurojnë 3719 persona pa punë që nuk kanë asnjë ditë shkollim, ndërsa edhe 9394 persona të cilët e kanë lënë në gjysmë arsimin fillor. Sipas regjistrimit të fundit të popullatës të vitit 2002, 3.6 për qind e popullatës së Maqedonisë të moshës mbi 15 vjet janë analfabetë, përqindje më të vogël të analfabetizmit sipas këtyre të dhënave kanë pasur maqedonasit, edhe atë 2.3%, ndërsa më të lartë romët të cilët janë deklaruar analfabet madje 20.6 % prej tyre.
Sa u përket komunave me shumicë shqiptare, gjendja qëndron si në vijim (bazuar në regjistrimin e vitit 2002, të dhëna nga Enti Shtetëror i Statistikës së Maqedonisë.)
ANALFABETIZMI NË RAJON DHE BOTË
NË KOSOVË, sipas regjistrimit të popullsisë (2011), janë evidentuar gjithësie 55001 persona që nuk dinë shkrim-lexim e që përbënë 3.2% të numrit të përgjithshëm të popullsisë dhe 3.9% të grupmoshave mbi 10 vjet.
NË SHQIPËRI: Analfabetizmi vazhdon të jetë një shqetësim për shoqërinë shqiptare. Sipas Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, shifrat e analfabetizmit lëvizin nga 2 për qind e popullsisë, deri në 10 për qind, sipas shifrave të pavarura.
NË BOTË: Sipas të dhënave të UNESCO, rreth 775 milionë persona të rritur në planet, nuk kanë as minimumin e nivelit të shkollimit, 1 në 5 persona të rritur janë analfabet, nga të cilët 2/3 janë femra. Rreth 75 milionë fëmijë nuk vijojnë shkollimin, nuk ndjekin rregullisht shkollimin ose e kanë braktisur tërësisht atë. (koha.mk)