Në Zajaz të Kërçovës, është mbajtur ceremonia e rivarrimit të 280 mbetjeve mortore nga varrezat masive në këtë anë, të martirëve që nga Luftërat ballkanike e deri pas Luftës së Dytë botërore.
Në këtë ceremoni të rivarrimit, mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari dhe Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci. Në fjalën e tij, Bekim Jashari mbajti një fjalë rasti.
Më poshtë, fjalimi i plotë të Bekim Jasharit:
Të nderuar vëllezer dhe motra, të nderuara familje të dëshmorëve dhe të martirëve të kombit, të nderuar ministra, deputet, kryetar komunash, te nderuar te pranishem,
I nderuari mik i imi, vëlla i imi, Ali Ahmeti,
Falëminderit që më ftove të bëhem pjesë e nderimit te qindra martirëve të kombit që ranë ndër dekada, që nga lufta e parë ballkanike gjer pas luftës së dytë botërore si viktima të dhunës sistematike shfarësose ndaj kombit tonë.
Një komb nuk vlerësohet aq për figurat e mëdha të cilat i ka në gjirin e vet, aq sa vlerësohet për nga mënyra se si ai komb sillet dhe i trajton ato figura, ato martirë, ato dëshmorë, ato dijetar.
Dhe ne sot, duke nderuar këta të rënë para një shekulli, nderojmë vetën, nderojmë përpjkjet shekullore shqiptare për respektim të autoktonisë, të drejtësisë, të së drejtës të jetosh i lirë në tokën tënde, në tokën e baballarëve tanë, të drejtën e jetës.
Unë e njoh sakrificën, unë e njoh flijimin, unë e njoh edhe dorën shfarësose, por njëkohësisht e njoh edhe durimin e kombit tim, vendosmërinë e vëllezerve dhe motrave të mija, e njoh edhe vendosmërine e bashkëatdhetarëve të mi.
Prandaj, këtë madhështi që po shoh para meje, ky nderim i së djeshmës, është e vetmja mënyrë se si mund të ndërtohet e nesermja dhe të jetohet e sotmja.
Është detyrim i joni që të ngadhnjejmë, është detyrim i joni që t’ia dalim ndaj cdo përpjekjeje për shfarosje, për asimilim, për tjetërsim, dhe nëse ndonjëhere, kurdo herë, keni edhe dyshimin më të vogël për rrugëtimin tuaj, ejani dhe vizitoni këte vend pelegrinazhi ku kjo pamje rreth nesh do t’ju largon cdo mëdyshje për rrugën tonë të drejtë dhe qëllimin tonë të qytetëruar.
Këto eshtra, këto ëndrra të papërfunduara, këto jetëra të shkurtuara, nuk mund të gjejnë rehati më të madhe se nën figurën madhështore të Nënës Shqiptare, nënësqë përkundi djepin, nënës që këndoi ninullat, nënës që na burrnoi, nënës që na fali këta qe jemi, e kështu si jemi, zot e krenar në tokën tonë.
I dashur Ali,
Unë e di ndjenjën e zbulimit të të rënëve në oborr të shtëpisë, unë e di brengën e ndërgjegjës për t’ju rehatuar shpirtërat atyre eshtrave dhe shqiptarët në këto troje janë me fat që gjejnë ngushëllim për ëndrrat e tyre në përkushtimin tënd, në burrninë tënde, në njerëzillëkun tënd.
Unë, ti dhe të gjithë ne sot punojmë që kjo pamje para nesh asnjëherë më mos të përsëritet, që kjo Nënë madhështore mos të vuan për bijte dhe bijat e veta, prandaj, është në duart tona fati i kombit, fati i vëllezerve dhe motrave tona dhe nga ne varet se cfar të ardhme do të ndërtojme.
Ne, bashkë, jemi në rrugë të mbarë.
Ne bashkë, mund t’ia dalim.
Ne bashkë, bëhemi një.
Zoti ju bekoftë, lavdi të rënëve për atdhe.