Katër shqiptarë të Kosovës, tre prej tyre me nënshtetësi zvicerane dhe një me nënshtetësi kosovare po gjykohen nga Gjykata Penale e Olten Gösgen. Ata akuzohen se i kanë vënë zjarrin qëllimisht dhe me marrëveshje banesës së kosovares me emrin e koduar “Rilinda O”. Sipas Fondit të Sigurimit të banesave të Soloturnit, dëmi i shkaktuar nga djegia kishte qenë në mes të 50 dhe 100 mijë frangave, shkruan aargauerzeitung.ch. Në procesin e filluar të enjten, synohet të zbulohet se kush ka qenë porositësi i zjarrvënies dhe kush e ka vënë zjarrin. Të katër të përmendurit akuzohen për të dyja, transmeton albinfo.ch. Veç kësaj dy nga burrat dhe gruaja dyshohen edhe për vepra të tjera si mashtrim, tentim mashtrimi, shkelje të rregullave në komunikacion dhe shkelje të ligjit mbi të huajt. Rrjedha e ngjarjes sipas prokurorisë është dukur kështu: Rilinda banonte në banesën të cilës “duhej” t`i vihej zjarri. Partneri i saj i atëhershëm, Indrit G. bashkë me të njohurin tjetër Murat A. po kërkonin dikë që do të ishte i gatshëm të ndizte banesën e gruas. Ata së bashku e kanë pyetur Besim H. nëse ai njihte dikë që mund ta bënte këtë veprim. Pastaj Indriti ia jep Besimit një çelës të banesës, me të cilin Besimi hyn më 4 mars në banesë dhe i vë zjarrin asaj. Për këtë “punë”, ai do të ketë marrë 6000 franga nga Indriti. Rilinda pastaj i ka deklaruar sigurimit se në banesën e djegur ka pasur stoli ari që vlenin 11 mijë franga bashkë me 6000 franga në bankënota, përcjell albinfo.ch. Por ndërkohë ishte konstatuar se kjo nuk qëndronte kështu që sigurimi nuk ka paguar asgjë. Ajo që ka bërë përshtypje gjatë gjykimit është se 3 nga 4 të akuzuarit përveç që nuk kanë pranuar veprën, nuk kanë pranuar të përgjigjen për asgjë që janë pyetur. Vetëm Besim H. është treguar më i vullnetshëm për të folur, por edhe ai e ka hedhur poshtë akuzën. Sipas tij, ai, propozimin e Indritit dhe Muratit për zjarrvënie e kishte refuzuar. Prokurori kërkon për Indritin 7, për Muratin 4.5, për Rilindën, 6 dhe për Besimin, 8 vjet heqje lirie, gjithsej 25 vjet e 6 muaj. Nga ana tjetër, mbrojtësit e tyre kanë kërkuar lirim si të pafajshëm, për mungesë provash, transmeton albinfo.ch. Vendimi gjyqësor do të shpallet pas dy javësh.