Votuesit që janë pjesë e listës zgjedhore por që pas rrethin të parë të zgjedhjeve u ka skaduar dokumenti i identifikimit ose pasaporta, në rrethin e dytë nuk do të ketë të drejtë të votojnë në rast se nuk nxjerrin dokument të ri.
Me apel të KSHZ-së, këto persona ftohen të aplikojnë në Ministrinë e Punëve të Brendshme gjatë ditëve që kanë mbetur deri më 29 tetor, që të marrin dokumente të reja.
“Këtë ne e bëjmë në mënyrë preventive. Ata votues të cilëve u ndodh që eventualisht të dy dokumentet për identifikim u kanë skaduar, MPB-ja ashtu si deri tani, madje edhe në ditën e zgjedhjeve, punon që këtyre votuesve të cilët kanë nevojë për marrjen e letërnjoftimeve të reja, të mund të marrin të reja”, tha Violeta Duma, anëtare e KSHZ-së.
“Edhe këto ditë që kanë mbetur, me komunikatë të njoftohen qytetarët që duan të realizojnë të drejtën e tyre të votës, se mund të ndodhë që të mos kenë dokument të vlefshëm dhe të mos mund të votojnë, gjë që nuk është mirë. Unë mendoj se ky udhëzim është në pajtim me Kodin Zgjedhor dhe do ta mbështes”, u shpreh Subhi Jakupi, anëtar i KSHZ-së.
Mes anëtarëve pati edhe mendime të kundërta.
“Të gjithë e kemi të qartë se të dhënat në listën zgjedhore i marrim nga Ministria e Punëve të Brendshme me prerje deri më 15.10.2017. Ne nuk kemi bërë prerje të dytë për rrethin e dytë. Ne duhet të kujdesemi për të drejtat e zgjedhësve, të qytetarëve, sepse votuesit e njëjtë tashmë janë në listën zgjedhore – theksoi Sasho Sërcev, anëtar i KSHZ-së.
Ndër dispozitat e Kodit Zgjedhor theksohet edhe fakti që të drejtë vote ka çdo qytetarë që ka dokument të vlefshëm identifikimi ose pasaportë. Megjithatë me udhëzuesin e vitit 2010, në ciklet e dyta zgjedhore ose në rivotime, qytetarët kanë mundur të votojnë edhe me dokumente të skaduara në periudhës mes dy rretheve zgjedhore.
KSHZ-ja nga ana tjetër, konfirmoi se nuk ka pranuar akoma vendimet e një dite më parë të Gjykatës Administrative e cila pranoi vetëm një padi të VMRO-DPMNE-së për një vendvotim në Komunën e Sarajit dhe Qytetin e Shkupit. Nëse në këtë vendvotim do të rivotohet, KSHZ-ja pritet të vendosë gjatë ditës.