Edhe pse ka kaluar gjysma e muajit nëntor, përfituesit e ndihmës financiare për kujdesin ndaj personit tjetër në Maqedoninë e Veriut ende nuk i kanë marrë pagesat mujore.
Qytetarët që varen nga kjo ndihmë shprehin shqetësimin e tyre për vonesën, duke theksuar se bëhet fjalë për një kategori veçanërisht të ndjeshme të shoqërisë, për të cilën këto mjete janë të domosdoshme për përballimin e nevojave të përditshme.
Sipas reagimeve të tyre, vonesa në ekzekutimin e pagesave rrezikon t’ua vështirësojë edhe më shumë sigurimin e barnave, ushqimit dhe ngrohjes, sidomos në këtë periudhë kur temperaturat kanë filluar të ulen.
Për shumë familje, kjo ndihmë nuk është thjesht një përkrahje financiare, por një burim i rëndësishëm për mbijetesën dhe përballimin e shpenzimeve bazë.
Përfituesit kërkojnë nga institucionet kompetente që të sqarojnë arsyet e vonesës dhe të mundësojnë sa më shpejt ekzekutimin e pagesave.
Deri më tani, mbetet e paqartë se kur do të realizohet pagesa e plotë për këtë kategori qytetarësh.














