Avioni i kompanisë ajrore turke „SunExpress“, i cili fluturonte nga Këlni drejt Antalisë, dje bëri ulje emergjente në Aeroportin e Shkupit, pasi bashkëpilotit i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore gjatë fluturimit.
Ekuipazhi shpalli gjendje emergjente dhe kërkoi leje për ulje në Shkup. Avioni u ul në mënyrë të sigurt në orën 05:06 të mëngjesit.
Avioni ishte nisur nga Këlni/Boni pak pas orës 03:00. Gjatë fluturimit mbi Ballkan, ekuipazhi dërgoi sinjalin e emergjencës me kodin 7700, përmes të cilit pilotët njoftojnë kontrollin e trafikut ajror për një situatë urgjente.
Sipas televizionit gjerman “RTL”, bashkëpiloti kishte dhimbje barku dhe koke. Pas uljes në Shkup, atij iu dha ndihma mjekësore. Nga kompania ajrore nuk kanë bërë të ditur se si ishte gjendja e tij shëndetësore më vonë.
Pasagjerët vazhduan udhëtimin me një avion zëvendësues, i cili mbërriti në Shkup nga Vjena. Një tjetër avion i tipit „Boeing 737-800“ mori pasagjerët dhe u nis drejt Antalisë.
Avioni mbërriti në Turqi rreth orës 16:20 sipas kohës lokale, ndonëse fluturimi fillimisht ishte planifikuar të përfundonte në orën 08:20 të mëngjesit.














