Mjeku dhe specializanti privat dr. Darko Vasilevski vijon grevën e urisë para Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë në kuadër të Universitetit “Shën Qirili dhe Metodi” në Shkup, duke kërkuar zgjidhje përfundimtare për statusin e tij profesional.
Vasilevski thotë se nuk ka ndërmend të largohet nga vendi i protestës derisa të marrë një përgjigje konkrete lidhur me kërkesën e tij për punësim. Ai paralajmëron se gjendja e tij shëndetësore mund të përkeqësohet, duke e bërë të qartë se është i gatshëm ta çojë protestën deri në fund.
“Do të largohem vetëm si i punësuar, ose do të më marrin me Ndihmën e Shpejtë. Nuk mund të vuajmë nga uria përgjithmonë”, ka deklaruar ai gjatë protestës.
Sipas Vasilevskit, vendimi për të nisur grevën e urisë erdhi pas refuzimit të tij për të tretën herë radhazi në konkurset publike për punësim në profesionin e mjekut.
Ai pretendon se arsyeja kryesore e refuzimit është mosha e tij, duke e konsideruar këtë si diskriminim dhe si një nënvlerësim të përvojës së tij profesionale.
Mjeku kërkon që çështja e tij të zgjidhet përfundimisht dhe që përvoja dhe kualifikimet profesionale të merren parasysh në procesin e punësimit.














