18 VJET PA TY,BABAI IM,ARIF VINCA!
Nga Alban Vinca
Sot,në 18-vjetorin e ndarjes nga jeta,kujtimi për ty është po aq i gjallë, krenar dhe i shtrenjtë sa ditën kur të humbëm.
Ti ishe më shumë se një profesor i gjuhës shqipe.Ishe një atdhetar i madh,një burrë i fjalës,i karakterit dhe i dinjitetit,i respektuar anembanë trojeve shqiptare.
Një nga figurat kyçe ne krijimin e partisë të parë shqiptare ne Maqedoni PPD-së deri ditën që ajo ndryshoj politikat dhe devijoj nga ideali shkak edhe i dorëheqjes tënde të parevokueshme.I shërbeve çështjes kombëtare me përkushtim,guxim dhe bindje të palëkundur.Por,ndryshe nga ata që kërkojnë të jenë në qendër të vëmendjes,ti zgjodhe gjithmonë modestinë.Ishe njeriu i fjalëve të pakta, por i veprave të mëdha.Punën e rëndësishme e bëje në heshtje,shpesh prapa skenës,pa kërkuar lavdi,duartrokitje apo mirënjohje.
Sepse madhështia e njeriut nuk matet me zhurmën që bën,por me gjurmët që lë pas.E ti le gjurmë që koha nuk mund t’i fshijë.
Sot,kur shoh këtë fotografi të një kohe historike, ku je mes figurave të PPD-së,ndiej krenari për rrugën tënde dhe për gjithçka që përfaqësove.Historia mund të kujtojë emra e ngjarje,por familja jote do ta kujtojë gjithmonë njeriun e dashur,modest,të urtë dhe të palodhur që ishe.
Tetëmbëdhjetë vite kanë kaluar,por mungesa jote nuk matet me kohën. Ajo ndihet në heshtje,në kujtime dhe në çdo fjalë të mirë që dëgjojmë për ty.
Jam krenar që jam djali yt,krenar për emrin që na le dhe për vlerat që na mësove.Trashëgimia jote nuk është vetëm ajo që bëre për kombin,por edhe shembulli i njeriut që ishe.
U prehsh në paqe ,vepra jote e paharruar dhe kujtimi yt i përjetshëm!
Lavdi jetës dhe veprës sate!

















