Kryeministri Hristijan Mickoski kërkon që BE-ja, ndërsa mundësisht edhe NATO-ja, të përfshihen në bisedimet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, me arsyetimin se argumentet e të dyja palëve duhet të dëgjohen në mënyrë objektive.
Mickoski tha se këtë çështje pritet ta diskutojë edhe me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila të premten vjen në Shkup. Sipas tij, bisedimet dypalëshe me Sofjen deri tani nuk kanë dhënë rezultatet e dëshiruara.
Ai tha se Shkupi është i gatshëm për dialog dhe se, nëse argumentet e palës maqedonase nuk qëndrojnë, është i gatshëm të dëgjojë dhe pranojë argumentet e tjera.
Mickoski konfirmoi gjithashtu se nuk ka komunikim me presidentin bullgar Rumen Radev.
Sa i përket raportimeve të “Politico” se BE-ja po përgatit udhërrëfyes të rinj për Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë, Mickoski tha se nuk ka informacion që Maqedonia e Veriut është përjashtuar dhe se pret sqarime nga Brukseli.














