“Nga 12 tetori planifikojmë që sistemi ‘Qyteti i Sigurt’ të fillojë të zbatohet edhe në të gjithë territorin e SPB Ohër, përkatësisht në zonat e Ohrit, Strugës, Kërçovës dhe Dibrës”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, pas vizitës së punës në SPB Ohër dhe në Qendrën Rajonale për Çështje Kufitare – Perëndim.
Ai theksoi se në SPB Ohër është në fazën përfundimtare përgatitja e qendrës së komandimit, e cila është e nevojshme për zbatimin praktik të sistemit “Qyteti i Sigurt”.
“Na kanë mbetur edhe rreth dy javë për të përfunduar aktivitetet e mbetura lidhur me qendrën e komandimit dhe për ta vënë në funksion këtë sistem inteligjent edhe në këtë pjesë të vendit. Diskutuam gjithashtu për luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, tregtisë së paligjshme dhe shpërndarjes së drogës, rendit dhe qetësisë publike, si dhe sigurisë në komunikacion”, shtoi Toshkovski.
Përveç kësaj, ai bëri të ditur se për herë të parë është rënë dakord që FRONTEX t’i drejtojë aktivitetet e tij edhe në kufirin perëndimor, dhe jo vetëm në kufirin jugor si deri tani.
Pritet që aktivitetet e përbashkëta të fillojnë në fillim të vitit të ardhshëm, me çka do të forcohet më tej kontrolli i kufirit perëndimor.













