BDI: Katër muaj heshtje nga Burim Latifi për dëmin prej 19,3 milion euro, deri ku ka arritur Prokuroria dhe Antikorrupsioni për skandalin në MEPSO?
Kanë kaluar pothuajse katër muaj që kur Bashkimi Demokratik për Integrim ngriti publikisht alarmin për rastin në MEPSO dhe kërkoi përgjegjësi nga drejtori Burim Latifi. Katër muaj më vonë, qytetarët ende nuk kanë marrë përgjigje të plota për vendimet që e kanë futur ndërmarrjen strategjike shtetërore në një kontest ndërkombëtar me pasoja potencialisht milionëshe.
Faktet e bëra publike janë serioze. Në procedurën paraarbitrale para DAB-it, MEPSO humbi rastin në një shumë prej rreth 19,3 milionë eurosh, ndërsa vendimi ishte në favor të kompanisë paraprake “Energoinvest”. Tani çështja po zhvendoset në arbitrazh, ku ndërmarrja shtetërore duhet të mbrojë pozitat dhe pretendimet e saj pas një rezultati të pafavorshëm në fazën paraprake.
Në të njëjtën kohë, MEPSO ka lidhur kontratë të re me miliona euro me konsorciumin e udhëhequr nga “Dalekovod”, pjesë e të cilit janë “Kodar Energomontaža” nga Beogradi dhe “Elnos BL” nga Banja Luka. Pikërisht për këtë të fundit në opinion janë ngritur akuza për afërsi me qarqe të lidhura me Milorad Dodikun.
Prandaj pyesim publikisht: pse VLEN-i po lejon që edhe një segment strategjik i sektorit energjetik të lidhet me kompani nga Serbia dhe Republika Serpska, ndërkohë që qytetarët përballen me pasojat financiare të vendimeve të drejtuesve të tyre? Kush mori vendim për ndërprerjen e kontratës paraprake, kush e vlerësoi rrezikun juridik dhe financiar dhe kush do të mbajë përgjegjësi nëse shteti pëson dëme të tjera në arbitrazh?
Por sot pyetja nuk është vetëm për Burim Latifin. Ku është Prokuroria Publike dhe ku është Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit? Katër muaj më parë kërkuam publikisht që institucionet kompetente ta hetojnë rastin. Opinioni ka të drejtë të dijë: a është hapur lëndë, cilat veprime janë ndërmarrë dhe a po hetohen kontratat, vendimet dhe përgjegjësia eventuale për dëmin financiar?
Burim Latifi mund të zgjedhë heshtjen, por 19,3 milionë euro kundërkërkesa të rrëzuara në fazën paraarbitrale dhe një kontratë e re milionëshe me një konsorcium ku marrin pjesë kompani nga Beogradi dhe Banja Luka nuk mund të kalojnë në heshtje.
BDI kërkon transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe përgjigje konkrete. Katër muaj heshtje janë shumë. Qytetarët kanë të drejtë të dinë kush i mori këto vendime, pse i mori dhe kush do të përgjigjet për pasojat.













