Pas vendosjes së sistemit “Qyteti i Sigurt”, vetëm për pesë muaj numri i të vdekurve në aksidentet e trafikut është ulur me 40 për qind, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Siç theksoi ai në raportin për punën e bërë, janë regjistruar 33 viktima, krahasuar me 55 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Nga 2 shkurti deri më 22 qershor 2026, përmes sistemit “Qyteti i Sigurt” janë evidentuar mbi 120.000 shkelje të trafikut, prej të cilave mbi 95 për qind kanë të bëjnë me tejkalimin e shpejtësisë së lejuar.
“Qyteti i Sigurt” ishte një projekt për të cilin flitej prej vitesh. Ne e realizuam atë. Projekti përfshiu modernizimin e sistemit ekzistues në Shkup, Tetovë, Kumanovë, në korridoret 8 dhe 10, si dhe zgjerimin e tij në nivel kombëtar, përmes vendosjes së teknologjive moderne të mbikëqyrjes me video dhe zbulimit automatik të shkeljeve të trafikut. Veçanërisht të rëndësishme janë rezultatet e para nga funksionimi i sistemit. Që nga fillimi i zbatimit të tij, më 2 shkurt 2026, në pesë muajt e parë është shënuar një ulje prej 40 për qind e numrit të personave të vdekur në aksidentet e trafikut, përkatësisht 33 viktima, krahasuar me 55 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Deri më 22 qershor 2026, përmes sistemit janë regjistruar mbi 120.000 shkelje të trafikut, prej të cilave më shumë se 95 për qind kanë të bëjnë me tejkalimin e shpejtësisë së lejuar”, informoi Toshkovski.
Sipas dinamikës së parashikuar, deri në fund të vitit 2026 pritet që projekti “Qyteti i Sigurt” të zbatohet plotësisht në të gjithë territorin e vendit, duke përfshirë qytetet më të mëdha dhe akset kryesore rrugore. Me këtë do të vendosen themelet e një sistemi modern, efikas dhe të orientuar drejt parandalimit për mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve.
Këto deklarata u bënë gjatë prezantimit të raportit për punën e realizuar në dy vitet e fundit.
MIA













