Sot, një djalë 21-vjeçar nuk u kthye më në shtëpi. Një familje u shkatërrua. Një jetë u shua në ujërat ku njerëzit shkojnë për pushim dhe argëtim.
Sa të rinj duhet të humbasim ende që plazhet e Strugës të kenë shpëtimtarë?
Çdo vit dëgjojmë të njëjtat lajme. Çdo vit shohim të njëjtat tragjedi. Çdo vit jepen të njëjtat premtime. Dhe çdo vit, realiteti mbetet i njëjtë, njerëz humbin jetën në liqen.
Një plazh pa shpëtimtarë nuk është mungesë organizimi, është neglizhencë që rrezikon drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.
Sot ishte një 21-vjeçar. Nesër mund të jetë një fëmijë. Pasnesër mund të jetë dikush nga familjet tona.
Nuk mund të vazhdojmë të quajmë “fatkeqësi” atë që përsëritet çdo vit. Kur rreziku është i njohur dhe masat mungojnë, përgjegjësia është e qartë.
Kjo është një thirrje publike dhe e drejtpërdrejtë për ju, z. Mendi Qyra, Kryetar i Komunës së Strugës!
Struga nuk ka nevojë për reagime pas tragjedive. Ka nevojë për shpëtimtarë para se tragjeditë të ndodhin.
Çdo sezon veror që kalon pa masa konkrete është një rrezik i panevojshëm mbi jetët e njerëzve.
Sepse asnjë verë nuk duhet të mbyllet me jetë të humbura.
Lindim Etemi (Struga Ekspres)













