Ndriçim Musai, i lindur në Frëngovë të Strugës, është një kompozitor i suksesshëm me një aktivitet të pasur dhe të qëndrueshëm në muzikë. Në krijimtarinë e tij përfshihen qindra këngë, të interpretuara nga artistë në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporë.
Rrugëtimi i tij artistik ka nisur që në moshën 13-vjeçare, fillimisht në konakë dhe dasma familjare, për të vazhduar më pas në mënyrë profesionale. Edhe sot mbetet aktiv me grupin “Sazet e Frëngovës”, ndërsa që nga viti 1995 mban rolin e udhëheqësit artistik të SHKA “Sazet e Frëngovës”.
Ai është gjithashtu themelues i studios “Ledi Production” në Strugë, ku ka realizuar një numër të madh projektesh muzikore dhe ka bashkëpunuar me shumë artistë. Paralelisht, është organizator dhe producent i aktiviteteve kulturore si “Sofra e Toskërisë”, që zhvillohet çdo vit që nga viti 2020, si dhe i Festivalit Ballkanik të Kabasë me klarinetë.
Që nga viti 2013, Ndriçim Musai kontribuon në “Elrodi TV” në Tiranë, ku ka qenë i përfshirë në realizimin e qindra projekteve muzikore. Në total, ka realizuar mbi 600 videoklipe në YouTube në bashkëpunim me “Ledi Production” dhe mbi 1000 videoklipe në këtë televizion.
Gjatë karrierës së tij ka marrë pjesë në festivale të shumta, ku është vlerësuar me çmime të para dhe të dyta. Gjithashtu, është organizator i programit festiv “Kënga Ime” dhe i aktivitetit “Shqiptaro-Australin” në fshatin Këshavë të Manastirit.
Në gjithë këtë rrugëtim artistik, ai ka pasur mbështetje të vazhdueshme nga familja, veçanërisht nga babai i tij, Zyber Musai, i cili ka qenë një shtyllë e rëndësishme në zhvillimin e tij.

















