Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, gjatë një interviste në Alsat, deklaroi se ndryshimet kushtetuese mund të realizohen vetëm kur të sigurohen 80 vota në Kuvend. Ai theksoi se edhe mund të dalin nga qeveria për ndryshimet kushtetuese, por kjo nuk do te ishte zgjidhje pasi përsëri duhen numrat, transmeton Portalb.mk.
“Ndryshimet kushtetuese do të ndodhin kur ti kemi 80 deputët dhe këtë e di i gjithë opinioni se pa i pasur 80 vota nuk ndryshohet kushtetuta. Qoftë brenda apo jashtë shtetit ne duhet që bashkërisht të angazhohemi në procesin që do të sjell deri tek ndryshimi i kushtetutës”, tha Gashi.
I pyetur nëse ekziston një vijë e kuqe për durimin e partnerëve shqiptarë në qeveri dhe çfarë mesazhi kanë për votuesit që prisnin realizimin e ndryshimeve kushtetuese, Gashi u shpreh se proceset e tilla kërkojnë kohë, angazhim dhe qasje konstruktive.
“Fatkeqësisht këto procese të rënda kërkojnë shumë mund, angazhim dhe nuk mendoj se duhet të behët betejë brenda etnike apo brenda shtetit për atë se çfarë duhet. Ne nuk e kemi problem edhe të dalim nga qeveria por a ka garanci se do të behën kështu ndryshimet kushtetuese. Nuk është puna se të vendosim vetëm kushte por duhet gjetur zgjidhje”, tha Gashi.
Duke folur për hapat e ardhshëm, ai tha se është i përkushtuar për gjetjen e zgjidhjeve dhe se bashkë me subjektin politik që përfaqëson punojnë çdo ditë në këtë drejtim.
“Unë personalisht dhe nomenklatura politike që i takoj jemi të prirë për të gjetur zgjidhje. Për këtë punë angazhohemi çdo ditë”, tha Gashi
Kujtojmë se VLEN premtoi ndryshime kushtetuese në gjashtë muajt e parë të qeverisë. Më tetor 2024, ish-ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezai tha se VLEN ka dhënë afat gjashtë mujor për ndryshime kushtetuese.
“Gjatë bisedimeve për formimin e qeverisë së re, ne si koalicion VLEN kemi dhënë një afat gjashtë mujor, brenda të cilit qeveria duhet të dalë me propozim konkret për zgjidhjen e problemit me ndryshimet kushtetuese. Aktualisht jemi në muajin e katërt, dhe pa skaduar ky afat nuk kemi pse e komentojmë. Kur të afrohemi nga fundi, atëherë do ta shohim se cilat do të jenë hapat e mëtutjeshëm”, kishte theksuar Murtezani.
Sot, kur afati gjashtë mujorë ka kaluar me kohë VLEN gjen arsyetime të reja. Murtezani me fjalorin e kryeministrit Hristijan Mickovski, më vonë tha se ndryshimet kushtetuese do të jenë para deputetëve në Kuvend, në momentin që do të sigurohen nga Bullgaria që nuk do të ketë kushte të reja.
Në thelb, ajo që ndodhi me premtimin gjashtëmujor të VLEN-it për ndryshimet kushtetuese ishte një zhvendosje graduale e qasjes politike, e diktuar nga realiteti i ri brenda shumicës qeverisëse dhe refuzimi i hapur i VMRO-DPMNE-së për të avancuar këtë proces. Nga një koalicion që para hyrjes në Qeveri fliste për afate të qarta, presion politik dhe përgjegjësi institucionale, VLEN kaloi në një diskurs më të butë, ku theksi u zhvendos nga “do t’i bëjmë ndryshimet” në “nuk ka kushte”, “nuk ka numra” dhe “nuk ka siguri nga Bullgaria”. Në vend që premtimi të shërbente si mjet për të kushtëzuar partnerin maqedonas në pushtet, ai u relativizua sapo u bë e qartë se VMRO-DPMNE nuk ka vullnet politik për ndryshime kushtetuese, ndërsa VLEN zgjodhi të ruajë stabilitetin e koalicionit qeverisës më shumë sesa të insistojë në një proces që vetë e kishte shpallur prioritet absolut.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.
Ato nënkuptojnë përfshirjen e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.
Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.













