JON LABËNISHTI I ARTË NË ISTOG – KOSOVË
Sot në Istog të Kosovës u zhvillua një turne ndërkombëtar karateje në nder të Heroit të Kombit, mësuesit Mustafë Blakaj. Ky aktivitet mblodhi sportistë nga vende të ndryshme, duke krijuar një atmosferë të fortë gare dhe respekti për figurën e heroit.
Në këtë turne mori pjesë edhe Klubi i Karatesë “Drini” nga Struga, i cili u paraqit me sukses të jashtëzakonshëm. Sportistët e këtij klubi arritën të fitojnë gjithsej 5 medalje nga 5 garues: 1 medalje ari, 3 medalje argjendi dhe 1 medalje bronzi.
Me medalje ari u shpërblye Jon Labënishti në kategorinë U18 -55 kg, i cili shkëlqeu me paraqitjen e tij dhe dominoi në duelet e zhvilluara. Medalje argjendi fituan Gresa Pollozhani U11 -40kg, Jara Nasufi U11 -36kg dhe Neshat Islami U11 -40kg, të cilët treguan nivel të lartë dhe luftë të fortë në kategoritë e tyre. Ndërkohë, Drini Hajredini U18 +76kg, këtë herë u stolis me medalje bronzi, duke dhënë gjithashtu një performancë të mirë.
Pavarësisht rezultateve të shkëlqyera, mbetet bindja se disa nga medaljet mund të kishin pasur ngjyrë tjetër, nëse gjykimi do të ishte më i drejtë.
Megjithatë, suksesi i arritur dëshmon për përgatitjen, përkushtimin dhe talentin e sportistëve të Klubit të Karatesë “Drini”.
Ky turne ishte një dëshmi e vlerave sportive dhe respektit për figurat kombëtare, duke bashkuar sportin me historinë dhe krenarinë kombëtare.
Vazhdojmë tutje!


















