Abduljadin Shazimanoski, drejtor i NP Eko Struga, ka raportuar për Struga Ekspres se është kërcënuar me jetë gjatë ushtrimit të detyrës së tij zyrtare.
Sipas deklaratës së tij, kërcënimi ka ndodhur në kuadër të aktiviteteve të përditshme të ndërmarrjes publike, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë e zyrtarëve gjatë kryerjes së detyrave të punës.
“Rasti është real dhe i konfirmuar,” ka bërë të ditur drejtori Shazimanoski, duke theksuar se kërcënimet kanë ardhur në mënyrë direkte dhe janë të lidhura me angazhimin e tij profesional.
Ngjarja pritet të trajtohet nga organet kompetente, ndërsa autoritetet pritet të ndërmarrin masa për zbardhjen e plotë të rastit dhe garantimin e sigurisë në vendin e punës.
(Struga Ekspres)













