Nga gazetari Lindim Etemi
Banorët e zonës raportojnë se zjarri që përfshiu malin mbi fshatin Frengovë dhe Fierishte vazhdon të përhapet, ndërsa ndërhyrja nga ajri ka ngritur shumë pikëpyetje. Sipas dëshmitarëve në terren, helikopteri u shfaq mbi zonë, por në vend që të ndërhynte në mënyrë efektive për shuarjen e flakëve, qëndrimi i tij u duk më shumë si një demonstrim spektakolar sesa një operacion real për fikjen e zjarrit.
Flakët kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha të malit dhe banorët shprehen të shqetësuar se reagimi i institucioneve është i ngadaltë dhe i pamjaftueshëm. Ata thonë se ndërkohë që pyjet digjen dhe rreziku rritet, autoritetet po reagojnë vetëm pasi situata përkeqësohet.
“Maqedonia nuk është shtet normal. Është turp që gjithçka po digjet dhe institucionet presin derisa zjarri të përhapet”, shprehen të revoltuar disa nga banorët.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe më serioze për të vënë nën kontroll zjarrin para se ai të shkaktojë dëme edhe më të mëdha në pyje dhe në zonat përreth.
Lindim Etemi-Struga Ekspres.













