Komisioni Rregullator për Energjetikë (RKE), me rregulloren e miratuar më 4 mars, ka ndryshuar mënyrën e përcaktimit të çmimeve të karburanteve. Nga tani, vendimi për çmimet maksimale me pakicë do të merret vetëm një herë në javë, çdo të hënë. Është hequr edhe mundësia për korrigjim të jashtëzakonshëm gjatë javës. Njohës të tregut paralajmërojnë se dizeli javën e ardhshme mund të shtrenjtohet nga 12 deri në 15 denarë dhe të arrijë rreth 85 denarë për litër, përcjell tetova1
Metodologjia e re parashikon që llogaritja e çmimeve të bazohet në mesataren e shtatë ditëve të fundit, ndërsa vendimi do të merret në mbledhje çdo të hënë. Në të njëjtën kohë është hequr dispozita që i lejonte Komisionit të reagonte edhe gjatë javës kur çmimet në bursë ose kursi i këmbimit kërkonin korrigjim prej të paktën 2 denarësh për litër.
Ky mekanizëm ishte vendosur në vitin 2022 si një mënyrë për t’u përballur me goditjet e shpejta të çmimeve. Me heqjen e tij, çmimi praktikisht “bllokohet” në një cikël javor, pa hapësirë formale për korrigjim të jashtëzakonshëm mes dy të hënave.
Rritje e çmimit të importit gjatë javës, por çmimi nuk ndryshon
Arsyetimi zyrtar është “siguria në furnizim” në kushtet e luhatjeve në bursat botërore. Por analistët paralajmërojnë se kjo vonesë kohore mund të prodhojë efekt të kundërt: nëse çmimi i importit rritet gjatë javës, tregtarët përballen me kosto që rriten nga dita në ditë, ndërsa çmimi i shitjes nuk mund të ndryshojë deri të hënën tjetër. Në një situatë të tillë, kriza mund të mos nisë me rritje zyrtare çmimesh, por me kufizime, ndërprerje apo furnizim selektiv.
Shenjat e para: radhë dhe kufizime të dyshuara
Në publik tashmë janë shfaqur dëshmi për radhë dhe tension në disa pika karburanti, me pretendime se në disa stacione dizeli nuk është furnizuar ose janë përmendur kufizime jozyrtare të sasisë. Në përpjekje për të menaxhuar situatën, është shpërndarë edhe një njoftim me vulën e kompanisë Lukoil, ku përmendet kufizimi i shitjes së dizelit për kamionë të rëndë, traktorë dhe autobusë deri në maksimum 50 litra, si dhe ndalimi i furnizimit në kanistra të pasigurt./tetova1.mk













