Gjithsej 25 automjete janë konfiskuar nga policia gjatë kontrolleve në komunikacion në territorin e SPB Ohër, që nga fillimi i zbatimit të ndryshimeve në Kodin Penal, përkatësisht nga 1 shkurti, informoi për MIA zëdhënësi Stefan Dimoski.
Për “drejtim të pakujdesshëm të automjetit”, sipas informacionit, 11 automjete janë konfiskuar në Strugë, shtatë në Kërçovë, gjashtë në Ohër dhe një në Dibër.
Për drejtim të automjetit pa patentë shoferi janë konfiskuar 12 automjete, tetë prej tyre me ndalim aktiv për drejtim, katër automjete janë drejtuar nga persona nën ndikimin e alkoolit dhe një automjet ishte i paregjistruar, sqaroi Dimoski.
Intensiteti i kontrolleve në komunikacion, sipas tij, është rritur në të gjithë territorin.
Përdoren edhe kamera elektronike mobile që vendosen në vende të ndryshme të rrugëve brenda dhe jashtë qytetit, ndërsa janë intensifikuar edhe masat dhe fushatat parandaluese që i zbaton sektori për parandalim pranë SPB Ohër.
Qëllimi është forcimi i vetëdijes dhe ndërgjegjes tek drejtuesit e automjeteve dhe tek të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion, për kujdes të shtuar gjatë pjesëmarrjes në trafik dhe ngritjen e kulturës së sigurisë, tha Dimoski.
Ai theksoi se frekuenca dhe dendësia e trafikut rrugor në territorin e SPB-Ohër është në rritje të vazhdueshme. Për të ruajtur një gjendje të favorshme të sigurisë në fushën e komunikacionit, ai theksoi se po ndërmerren masa dhe aktivitete të planifikuara në aspektin parandalues dhe represiv ndaj automjeteve dhe drejtuesve.
Aktivitetet dhe masat në fushën e trafikut rrugor në territorin e SPB Ohër janë të orientuara kryesisht drejt mundësimit të një komunikacioni të papenguar, të rregullt dhe të sigurt, si dhe zbulimit të kundërvajtjeve që janë shkaktarë të aksidenteve në komunikacion. Rregullisht ndërmerren masa me qëllim kontrollin e automjeteve, kontrollin e rrugëve për evidentimin e shkeljeve që rrezikojnë jetën, siç janë (drejtimi pa patentë shoferi, drejtimi nën ndikimin e alkoolit, mosvazhdimi i vlefshmërisë së lejes së qarkullimit si dhe shkelje të tjera), theksoi zëdhënësi i SPB Ohër.
Ai bëri apel për respektim të plotë dhe të vazhdueshëm të rregullave dhe dispozitave të komunikacionit, si dhe të sinjalistikës së vendosur rrugore, që sipas tij do të kontribuojë ndjeshëm në uljen e numrit të aksidenteve dhe në rritjen e sigurisë në rrugë.













