Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se më 23 shkurt 2026, rreth orës 06:10, në pikën kufitare Bllacë është paraqitur ish-zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, ndaj të cilit ishte në fuqi masa “arresto”. Ai është ndaluar menjëherë nga autoritetet dhe është dërguar për procedura të mëtejshme ligjore.
Sipas njoftimit zyrtar, Grubi, i lindur më 7 qershor 1977, është privuar nga liria sapo ka hyrë në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Më herët, policia kishte lëshuar fletarrest ndërkombëtar për të, pasi ai përmendet në një hetim që përfshin dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare, korrupsion dhe parregullsi në procedurat e prokurimit publik. Rasti lidhet me funksionimin dhe kontratat e Lotaria Shtetërore e Maqedonisë së Veriut.













