Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë paraqitjes së tij sonte në emisionin “Click Plus” në TV21, duke folur për projektin “Safe City”, theksoi se është i gatshëm të marrë përsipër rrezikun, madje edhe që Qeveria të bjerë, për realizimin e këtij projekti.
Mickoski tha se qëllimi nuk është mbledhja e gjobave, por shpëtimi i jetëve njerëzore.
“Qëllimi nuk është të mblidhen gjoba. Së pari, ekziston tolerancë nëse vozitet 5 kilometra mbi kufirin e lejuar, nuk do të ketë gjobë. Nëse vozitet më shumë se 10 kilometra, do të ketë gjobë. Por përsëri do ta them, qëllimi nuk janë gjobat, por veprimi edukativ dhe preventiv. Nëse duhet që kjo Qeveri të bjerë për ‘Safe City’, e më pas të vijë një Qeveri tjetër dhe ta shfuqizojë, dhe secili të vozisë si të dojë, atëherë në rregull jam i gatshëm ta marr përsipër këtë rrezik”, deklaroi Mickoski.













