BDI – Dega Strugë kërkon shqyrtim institucional dhe veprim ligjor për emërimet e drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme në Strugë!
BDI – Dega Strugë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me veprimet e fundit të Kryetarit të Komunës së Strugës, z. Mendi Qyra, në raport me shkarkimin dhe emërimin e drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme në territorin e komunës së Strugës.
Menjëherë pas marrjes së mandatit, dhe nën ndikimin e drejtpërdrejtë politik të koalicionit të tij me Vmro-dpmne dhe Vlenin , Kryetari i Komunës ka filluar një proces të papranueshëm të shkarkimit të drejtorëve ekzistues të shkollave, pa respektuar procedurat ligjore dhe kriteret profesionale të përcaktuara me Ligjin për Arsimin Fillor dhe të Mesëm.
Sipas informatave të konfirmuara nga drejtorët e shkarkuar, këto vendime janë marrë me arsyetime joserioze, të pabazuara në ligj, duke larguar drejtues të cilët i plotësojnë të gjitha kushtet ligjore dhe profesionale, ndërsa në vend të tyre janë emëruar persona që nuk i përmbushin kriteret e domosdoshme për ushtrimin e këtij funksioni. Ky veprim përbën shkelje të rëndë të parimeve të ligjshmërisë, profesionalizmit dhe depolitizimit të arsimit.
Këto ndërhyrje kanë prekur këto institucione arsimore 👇
• SHFK “Vëllezërit Milladinovci” – Strugë
• SHFK “Ashim Agushi” – Ladorishtë
• SHFK “Zini Hani” – Veleshtë
• SHFK “Orhan Xhemaili” – Tatesh i Epërm
• SHMK Gjimnazi “Dr. Ibrahim Temo” – Strugë
• SHMK “Niko Nestor” – Strugë
BDI – Dega Strugë i bën thirrje publike Inspektoratit Shtetëror të Arsimit dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, që të veprojnë urgjentisht dhe në përputhje me kompetencat e tyre ligjore, për të ndaluar këtë praktikë të rrezikshme dhe për të garantuar ligjshmëri në institucionet arsimore.
Njëkohësisht, ftojmë Ministren e Arsimit dhe Shkencës që t’ia heqë kompetencat Kryetarit të Komunës së Strugës për emërimin e drejtorëve në këto shkolla, njësoj siç është vepruar më herët ndaj ish-kryetarit të komunës së Strugës nga po e njëjta ministresh ku janë konstatuar shkelje të ngjashme.
Arsimi nuk guxon të jetë viktimë e pazareve politike. Institucionet arsimore duhet të drejtohen nga profesionistë të kualifikuar, në shërbim të nxënësve, prindërve dhe shoqërisë në tërësi.
Министерство за образование и наука/Ministria e Arsimit dhe e Shkencës
BDI – Dega Strugë
23.01.2026













