Sali: Mbyllen edhe 33 faqe ilegale të lojërave të fatit online
Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka njoftuar se nga sot kanë hyrë në fuqi ndalesat për edhe 33 organizues ilegalë të lojërave të fatit online, në kuadër të vazhdimit të aksionit institucional kundër kazinove ilegale në internet. Me këtë vendim, numri i përgjithshëm i faqeve të ndaluara arrin në 307, duke shënuar, sipas autoriteteve, një rezultat konkret të angazhimit të vazhdueshëm të Qeverisë për vendosjen e rendit dhe ligjit në këtë sektor.
Sali theksoi se kjo politikë e përgjegjshme ka për qëllim mbrojtjen e familjeve, të rinjve dhe shoqërisë në tërësi nga pasojat e dëmshme të lojërave të fatit, si dhe luftimin e aktivitetit ilegal në hapësirën digjitale.
Sipas tij, mbyllja e kazinove ilegale online është dëshmi se premtimet e Qeverisë nuk mbesin vetëm në nivel deklarativ, por po realizohen përmes veprimeve konkrete në terren. “Siç premtuam, po veprojmë. Kazinotë online po largohen nga shtëpitë tona”, ka theksuar zëvendëskryeministri i parë.













