
Azizi në konventën promovuese të VLEN-it: Zullumi do ta marrë goditjen përfundimtare në Gostivar
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të koalicionit VLEN, Adnan Azizi, sonte në Gostivar tha se “zullumi do ta marrë goditjen përfundimtare në Komunën e Gostivarit”, duke theksuar se zgjedhjet e 11 janarit do të shënojnë kthesën edhe në këtë komunë.
Në konventën promovuese të VLEN-it për kandidatin Nevzat Bejta, Azizi tha se beteja po hyn në fazën vendimtare dhe se Vrapçishti dhe Gostivari janë dy pikat e fundit ku do të mbyllet epoka e keqmenaxhimit.
“Kalaja e parafundit është Komuna e Vrapçishtit, dhe aty ku do ta marrë goditjen përfundimtare zullumi është Komuna e Gostivarit”, tha Azizi.
Ai shtoi se me afrimin e 11 janarit, VLEN është në ngritje, ndërsa AKI në zbritje, duke theksuar se mbështetja po rritet dita ditës.
Azizi theksoi se Nevzat Bejta është kandidati i duhur për Gostivarin, i cili, sipas tij, ka kapacitetin të bashkojë palët dhe të udhëheqë ndryshimin në komunë.
*Azizi: Gostivari e ka thyer edhe rekordin e borxhit të Teuta Arifit*
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të koalicionit VLEN, Adnan Azizi, në konventën promovuese të VLEN-it në Gostivar, tha se qytetarët e këtij qyteti kanë pjekurinë politike për t’u rreshtuar për ndryshimin, ashtu siç kanë bërë shqiptarët në mbarë Maqedoninë e Veriut.
“Kam bindjen se qytetarët e Gostivarit kanë pjekurinë politike që të rreshtohen, ashtu si gjithë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut që e përkrahën ndryshimin. Edhe këtu ta bëjnë ndryshimin, që të ndërtojmë të ardhmen e këtij qyteti, të rinisë dhe të familjeve tona”, tha Azizi.
Azizi lëshoi akuza ndaj udhëheqjes aktuale komunale, duke thënë se keqpërdorimet kanë qenë “të papara”, ndërsa borxhi është rritur në nivele rekord.
“Ata që erdhën në emër të ndryshimit, bënë keqpërdorime të papara me Gostivarin. Po ua them me keqardhje se Gostivari ka thyer edhe rekordet e borxhit të Teuta Arifit”, theksoi Azizi.
Sipas tij, borxhi i Komunës së Gostivarit aktualisht është mbi 30 milionë euro, ndërsa me borxhet e fshehura arrin deri në 34 milionë euro, për shkak të keqqeverisjes me fondet publike dhe taksat e qytetarëve.
Ai shtoi se kishte menduar se simbol i korrupsionit në komunat shqiptare ishte Teuta Arifi, por sipas tij, korrupsion të ngjashëm po sheh edhe në Gostivar, duke akuzuar disa individë se po “shtiren si engjëj”, ndërsa e kanë dëmtuar rëndë buxhetin e komunës.
“Po shoh korrupsion galopant edhe në Komunën e Gostivarit, nga disa njerëz që shtiren sikur janë engjëj, por në emër të Gostivarit e kanë sakatuar dhe e kanë masakruar buxhetin e këtij qyteti”, theksoi Azizi.













