Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se pjesa me shkrim e provimit të jurisprudencës duhet të jepet në gjuhën në të cilën studentët kanë përfunduar arsimin e lartë, ndërsa pjesa me gojë, sipas tij, duhet të zhvillohet në gjuhën maqedonase si gjuhë zyrtare e sistemit gjyqësor në vend informon Tetovasot.
Duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me kërkesat e studentëve që nuk pranojnë zgjidhjen aktuale për dhënien e provimit në gjuhën shqipe, Mickoski tha se nuk e di se si janë llogaritur përqindjet e përmendura në debat, por nënvizoi se qëndrimi i Qeverisë është i qartë.
“Pjesa me shkrim duhet të jepet në gjuhën në të cilën është kryer arsimi i lartë, ndërsa pjesa me gojë duhet të zhvillohet në gjuhën maqedonase,” deklaroi Mickoski.
Sipas tij, e drejta për të studiuar në gjuhën amtare dhe funksionimi i sistemit gjyqësor janë dy çështje të ndryshme. Ai theksoi se në pjesën me gojë simulohen procese civile dhe penale, prandaj, sipas tij, ajo duhet të zhvillohet në gjuhën maqedonase.
Mickoski iu referua edhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias lidhur me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, duke theksuar se duhet të respektohen mendimet e institucioneve ndërkombëtare. Ai përsëriti se gjuha maqedonase mbetet gjuha e përbashkët zyrtare e sistemit gjyqësor në Maqedoninë e Veriut.TS














