Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) zhvilloi sot mbledhjen për të zgjedhur drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Klodian Braho u votua si kreu i ri i SPAK-ut me 7 vota, duke u zgjedhur mes katër kandidatëve dhe duke marrë një mandat trevjeçar në vend të Altin Dumanit. Pas tij u rendit Adnan Xholi me 3 vota, ndërsa Elvin Gokaj mori 1 votë. Doloreza Musabelliu nuk siguroi asnjë votë.
Të gjithë kandidatët – Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho – paraqitën platformat dhe vizionin e tyre për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme përpara anëtarëve të KLP-së, shkruan ATSH, sipas transmetimit të KosovaPress.
Mbledhja u mbajt në prani të anëtarëve të KLP-së, përfaqësuesve të Prokurorit të Përgjithshëm, Ministrisë së Drejtësisë, projektit Eu4Justice, programit OPDAT, si dhe përfaqësuesve diplomatikë, mes të cilëve ishin e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së, Nancy Van Horn, dhe ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.
Drejtuesi i ri i SPAK-ut zgjidhet nga radhët e prokurorëve të kësaj strukture, për një mandat 3-vjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje.
Klodian Braho ka lindur në Skrapar më 21 korrik 1982. Ai ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë (2000–2004) dhe më pas Shkollën e Magjistraturës (2005–2008). Më 14 nëntor 2007 mori emërimin e tij të parë si prokuror.
Përvoja profesionale e Brahos:
14.11.2007–2012: Prokuror në Prokurorinë e Beratit
2012–2015: Prokuror në Prokurorinë e Vlorës
2014–2015: Zëvendësdrejtues i Prokurorisë së Vlorës
2015–19.12.2019: Prokuror në Prokurorinë për Krimet e Rënda në Tiranë
Nga 19 dhjetori 2019 deri sot: Prokuror në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK)













