Fetai: Nesër Shkupi mirëpret një nga ngjarjet kryesore rajonale në luftën kundër korrupsionit
Me rastin e Ditës botërore kundër korrupsionit, nesër Shkupi do të mirëpret një nga ngjarjet kryesore në fushën e bashkëpunimit rajonal në luftën kundër korrupsionit.
Për herë të parë në rajonin tonë në një tryezë bëhen bashkë ministra, agjenci ndërkombëtare, ambasada, ekspertë, shoqëri civile dhe partnerë në përgjithësi për të diskutuar qasjen tonë të përbashkët bazuar në fakte, të dhëna për të luftuar në mënyrë efektive korrupsionin.
“Do të flasim për rikuperimin e aseteve kriminale, për sistemet digjitale që ju mbyll derën abuzimeve dhe mekanizmat që ndikojnë drejtpërdrejtë në cilësinë e demokracisë dhe besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit”, ka thënë zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë Arben Fetai në një video paraqitje.
Siç thekson Fetai, në fund të këtij Forumi do të miratohet Deklarata e Shkupit, një dokument rajonal që vendos standarde të qarta për integritetin, transparencën dhe bashkëpunim mes vendeve tona në luftën kundër korrupsionit.
“Ky Forum, vendos themelet e një platforme të përvjetshme për të monitoruar dhe për të dhënë llogari, për të matur progresin nga viti në viti dhe për të krahasuar të arriturat tona karshi Deklaratës së Shkupit. Në këtë drejtim dëshmojmë se Ballkani Perëndimor bëhet aktor i ndryshimit dhe i reformave që na sjellin më afër BE-së. Dhe nesër Shkupi merr rolin udhëheqës në ndërtimin e standardeve të reja kundër korrupsionit në rajonin tonë”, ka thënë Fetai duke falënderuar njëherësh UNOPS-in, ambasadën e Zvicrës dhe atë të Suedisë për mbështetjen pa të cilën ky Forum, sipas tij nuk do të bëhej i mundur.
https://www.facebook.com/share/v/16oBBhUu81/?mibextid=wwXIfr













