Gashi pret kryetarin e ri të Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Adem Çuçul
Kryeparlamentari Afrim Gashi, ka pritur sot kryetarin e sapozgjedhur të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Adem Çuçul, i cili para tij dha deklaratën solemne për marrjen e detyrës.
Me këtë akt zyrtar, Çuçul shprehu gatishmërinë e tij për të kontribuar në forcimin e mekanizmave institucionalë që luftojnë korrupsionin, duke u zotuar për të vepruar me ndershmëri, integritet dhe profesionalizëm në ushtrimin e funksionit.
Kryeparlamentari Gashi e uroi Çuçulin për detyrën e re, duke i dëshiruar suksese në misionin e tij të rëndësishëm për shoqërinë dhe institucionet e vendit.
Gashi theksoi se Parlamenti do të mbështesë plotësisht çdo përpjekje për forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, si një ndër prioritetet kyçe të shtetit.













