Zëvendëskryeministri Fetai takim me diasporën shqiptare në New York: Diaspora është gjysma e qenies sonë
Zëvendëskryeministri Arben Fetai, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në New York, ka zhvilluar takime të ngrohta me diasporën shqiptare, përfshirë Shoqatën Atdhetare “Dibra” dhe Qendrën Kulturore Shqiptare-Amerikane “Struga”. Përmes një postimi, ai ka ndarë emocionet nga këto momente, duke theksuar rolin e pazëvendësueshëm të diasporës në ruajtjen e identitetit dhe lidhjes me atdheun.
“New York-u është i mbushur me shqiptarë që e duan vendin, me njerëz punëtorë, atdhetarë dhe krenarë për rrënjët e tyre”, ka theksuar Fetai, duke e cilësuar takimin me organizatat shqiptare si një moment të veçantë ku “ndjen pulsin e vërtetë të komunitetit tonë”.
Ai ka nënvizuar se diaspora mbetet “gjysma e qenies sonë”, duke shtuar se shqiptarët, edhe larg vendlindjes, e mbajnë gjallë atdhedashurinë dhe lidhjen me trojet.
Fetai ka treguar se bashkëbisedimet u fokusuan te jeta dhe sfidat e komunitetit në SHBA, por edhe te lidhja e fortë që ruajnë me vendlindjen. “Këto takime ta kujtojnë sa e fortë dhe sa e natyrshme është kjo urë mes nesh”, ka deklaruar ai.
Zëvendëskryeministri ka përmbyllur mesazhin e tij me një thirrje për unitet dhe bashkëpunim. “Vazhdojmë përpara. Me njerëzit tanë, kudo që jetojnë”, ka thënë ai.


















