Zekolli: Për rrugën Tetovë- Prizren kemi ndarë 2 milionë euro, Korridori 8 përfundon në vitin 2029!
Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli në intervistën për “Click plus” ka folur edhe për rrugën Tetovë- Prizren, si një prej projekteve shumë të rëndësishme nga aspekti i turizmit dhe ai ekonomik për lidhjen që kemi me Kosovën.
Sipas Zekollit janë realizuar disa takime tet- a- tet me përfaqësuesit e Kosovës deri në kryeministri, ku siç thekson, “vetë ministri Nikolloski madje ka vizituar rajonin e tyre”.
“Ata janë më para me hapa. Në fillim të mandatit tim kemi hasur në një memorandum për bashkëpunim midis dy qeverive, por që nuk kishte lëvizur asnjë hap brenda memorandumit. Qe 1 vit kemi arritur ta kalojmë fazën e detyrës projektuese, e punuam dhe dorëzuam te pala kosovare, por për shkak të procesit të tyre zgjedhor që ende vazhdon kishim ngecje të përgjigjes nga ana e tyre. Detyrën projektuese e ka bërë Fakulteti i ndërtimtarisë dhe e mira e kësaj është se janë ndarë 2 milionë euro në buxhetin e rrugëve shtetërore për hapjen e tenderit për projektin kryesor”, tha Zekolli.
Për të tjerat apo tuneli që është i përbashkët për këtë rrugë, sipas siç shprehet është biseduar me ministrin e Kosovës dhe do të shihet “të gjendet mbështetje nga fonde evropiane”.
Korridori 8 do të përfundojë në vitin 2029
Në lidhje me Korridorin 8, madje zv/ministrja Kaltrina Zekolli potencoi se e njëjta duhet të përfundojë në vitin 2029.
“Projekti i kalon 1 miliard euro, ndërsa 600 milionë euro janë shfrytëzuar në pjesën Kërçovë-Ohër”, ka nënvizuar Zekolli.













