Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka bërë të ditur se procesi i largimit nga puna i punonjësve që prej vitesh marrin pagë pa u paraqitur në vendin e punës do të vazhdojë. Ai theksoi se në administratë ka edhe profesionistë të vërtetë, të cilëve do t’u garantohet vazhdimi i punës pavarësisht përkatësisë së tyre politike gjatë zgjedhjeve.
Sipas Qyrës, administrata komunale është e mbingarkuar dhe efikasiteti i saj është i ulët pikërisisht për shkak të punonjësve që nuk paraqiten në detyrë.
“Administrata është e tejmbushur dhe fatkeqësisht produktiviteti është i dobët. Kemi punonjës që për vite të tëra nuk kanë shkelur në punë, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e buxhetit shpenzohet për ta. Disa punojnë jashtë vendit dhe pagën e marrin nga Komuna e Strugës”, deklaroi Mendi Qyra.
Do të vazhdojmë me shkëputjen e marrëdhënies së punës për të gjithë ata që mungojnë me muaj e me vite. Qytetarët e kërkojnë këtë dhe është domosdoshmëri për komunën. Është e papranueshme që opozita të mbrojë punonjës që nuk paraqiten në vendin e punës. Ka raste ku personat nuk kanë ardhur pesë apo gjashtë vjet, por përsëri kanë marrë rrogë”, theksoi kryetari i Strugës.
(Struga Ekspres)













