Ibrahimi: Ndarja e çmimit “22 Nëntori” është mënyra më e mirë për të nderuar Ditën e Alfabetit
Në Ditën e Alfabetit, në Paarlament u mbajt ceremonia solemne e ndarjes së çmimit shtetëror “22 Nëntori”. Kryeparlamentari Afrim Gashi, ndau çmimet për fituesit e këtij viti: historianin Sevdail Demiri dhe shkrimtarin Resul Shabani.
Njëri nga liderët e VLEN, Zeqirija Ibrahimi, i pranishëm në ceremoni, e cilësoi këtë akt si mënyrën më të mirë për të shënuar ditën e veçantë të kombit shqiptar. “Nuk ka mënyrë më të mirë sesa këtë ditë të veçantë ta shënojmë përmes një akti të këtillë mirënjohjeje ndaj kontributit të figurave shkencore e kulturore në mesin tonë”, shkroi ai në Facebook.
Ibrahimi gjithashtu uroi fituesit për suksesin e arritur, duke theksuar: “Fituesve ua urova çmimin duke u dëshiruar produktivitet më të lartë në botën akademike dhe artistike”.
Ceremonia e “22 Nëntorit” u vlerësua si një moment i rëndësishëm për nderimin e personaliteteve që kanë dhënë kontribut të çmuar në fushën e kulturës dhe shkencës, duke forcuar rolin e gjuhës shqipe si element identitar dhe kombëtar.

















