BDI e Butelit i reagon Kostovskit: Gjuha e urrejtjes nuk i shërben bashkëjetesës

0
25

Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në Butel ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryetarit të Komunës së Butelit, Darko Kostovski, i cili tha se “ka shtypur kryengritjen e BDI-së” në këtë komunë.

Në reagim thuhet se ky fjalor është “i turpshëm dhe i papranueshëm për një përfaqësues të qytetarëve”, ndërsa theksohet se diskursi i tillë përçarës nuk i shërben demokracisë dhe bashkëjetesës ndëretnike që është ndërtuar me mund e përkushtim ndër vite.

“Rezultatet janë këto që janë, për të cilat ne jemi mirënjohës për çdo qytetar që mbështeti kandidatin shqiptar për kryetar komune, pavarësisht shënjestrimeve, shantazheve, kërcënimeve dhe propagandës që u zhvillua me gjithë makinerinë e pushtetit. Ajo që na gëzon veçanërisht është se shqiptarët sot kanë 8 këshilltarë në Këshillin e Komunës së Butelit, 4 më shumë se në mandatin e kaluar. Ky është zëri i qytetarëve, ky është realiteti që askush nuk mund ta ‘shtypë’”, thuhet në reagimin e degës së BDI-së.

Më tej, BDI-Butel i bën thirrje kryetarit Kostovski të ndalë menjëherë gjuhën e urrejtjes dhe të kujtojë se komuna “nuk është pronë e tij apo e partisë së tij, por shtëpi e përbashkët e të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie apo bindjeje politike”.

Në fund të reagimit, partia thekson se retorika përçarëse e Darko Kostovskit vetëm e forcon përkushtimin e BDI-së për zhvillim, stabilitet dhe bashkëjetesë.

“Do të vazhdojmë të jemi zëri i unitetit, respektit dhe mirëqenies për çdo qytetar të Butelit”, përfundon reagimi.