Mexhiti mbyll deponinë ilegale në Nikushtak! Për herë të parë një ministër i Ambientit ndërmerr një hap të tillë historik
Nikushtaku i Komunës së Likovës prej sot merr frymë më lirshëm. Zëvendëskryeministri i parë dhe njëherësh ministër i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, ka ndërmarrë një hap të paprecedent duke mbyllur përfundimisht deponinë ilegale që prej vitesh rrezikonte shëndetin e banorëve dhe ndotjen e mjedisit.
Duke u bazuar në parimin e mbrojtjes së shëndetit dhe natyrës, Mexhiti nënshkroi urdhëresën për mbylljen e lokacionit jostandard të hedhjes së mbeturinave, duke dërguar një mesazh të qartë se koha e neglizhencës ka përfunduar.
“Ky vendim u mor për të parandaluar pasojat e dëmshme që shkaktohen nga depozitimi i pakontrolluar i mbeturinave dhe për të siguruar një nivel më të lartë të mbrojtjes së mjedisit jetësor. Qëllimi ynë është të krijojmë kushte më të mira, një ambient të pastër e të shëndetshëm për qytetarët tanë,” ka thënë Mexhiti.
Ky hap sipas Mexhitit vlerësohet si historik, pasi me vendosmëri dhe pa asnjë hamendje u vendos për mbylljen e kësaj deponie ilegale. Sipas tij tashmë po vendosen standarde të reja në qeverisjen mjedisore, duke dëshmuar se angazhimi për natyrën dhe qytetarët nuk mbetet vetëm premtim.