Sunday, September 14, 2025
Nabizi Gega KFC
789184-C9-03-B5-41-CF-9-D59-B2523658-B380
1ab55e5d-f5c3-470d-bec1-df1777c5234e
HomeOpinionLindim Etemi: Me çfarë fytyre do t'u thoni prindërve të vetmuar që...

Lindim Etemi: Me çfarë fytyre do t’u thoni prindërve të vetmuar që përcollën bijtë e tyre në mërgim, për të votuar më 19 tetor?

Lindim Etemi (Struga Ekspres)

Si do veprojnë prindërit e vetmuar që përcollën fëmijët në mërgim, kur të vijë dita për të votuar më 19 tetor?

Do të dalin?Do të votojnë?Apo do të qëndrojnë në shtëpitë që janë bërë më të ftohta që kur u mbyll pas tyre dera e fundit, kur fëmijët ikën larg, duke kërkuar jetë diku tjetër?

Si do veprojnë ata prindër që çdo mëngjes zgjojnë dhoma bosh dhe çdo mbrëmje flenë me zërin e fëmijëve përmes telefonit?

U është kërkuar durim për dekada. U është kërkuar sakrificë, falje, dhe përsëri durim.
U është kërkuar të qëndrojnë këtu, të punojnë ndershëm, të rrisin fëmijë me mund e me djersë dhe kur ata fëmijë u rritën, ky vend s’i mbajti dot.
U larguan një e nga një, si zogjtë që kërkojnë dritë në qiell të huaj, sepse këtu nuk pati hapësirë për ta.
Pati korrupsion, papunësi, padrejtësi, mospërfillje.

Tani prindërit janë vetëm. Kanë mbetur si dëshmitarë të heshtur të një braktisjeje të madhe.
E të vetmuarit janë të lodhur. Janë të verbuar nga mungesa, por jo nga e vërteta. Ata dinë kush i largoi fëmijët e tyre. Dinë kush luajti me të ardhmen e brezave. Dhe më e rëndësishmja: nuk kanë më çfarë të humbasin.

Prandaj, në 19 tetor, pyetja nuk është nëse kanë motivim. Pyetja është: A guxon kush t’i nënvlerësojë ata më?
Sepse në një vend ku dashuria për fëmijët u kthye në dhembje të përditshme, edhe vota bëhet një akt i dhimbshëm, por i domosdoshëm.
Jo për të besuar përralla të reja, por për të thënë: “Mjaft më.”
Jo për të shpresuar verbërisht, por për të treguar se ende ka zemra që rrahin për këtë vend, edhe kur janë plagosur nga ky vend.

Prindërit e vetmuar ndoshta nuk flasin shumë. Por ata mbajnë brenda tyre një heshtje që peshon më shumë se çdo fjalim politik.
Dhe në 19 tetor, ajo heshtje do të flasë me një fletë votimi. Jo për të harruar çfarë kanë humbur, por për të mbrojtur ato pak që u kanë mbetur.

Sepse kur je prind dhe jeton vetëm, nuk ke më luksin të heshtësh.
Sepse pas heshtjes ka vetëm zbrazëti.
Dhe sepse në një vend ku gjithçka është lënë pas dore, e vetmja mënyrë për të mos humbur edhe veten, është të ngresh zërin.

Në atë kuti votimi nuk hidhet vetëm një mendim politik.
Hidhet një britmë e mbytur, një revoltë e përmbajtur, një shpresë që nuk vdes.
Hidhet e vërteta e një brezi të tërë prindërish që kanë mbetur të vetmuar, por jo të dorëzuar.

Nëse ka ende një rreze drite në këtë vend, ajo nis pikërisht nga guximi i atyre që kanë përballuar gjithçka, dhe prapë zgjedhin të qëndrojnë.

AS-Event
REKLAMONI KETU! REKLAMONI KETU!
AS-Event
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments