Lindim Etemi (Struga Ekspres)
Dje sharje, sot lot, hipokrizia e rradhës për Artur Zhejin
Dikur i thoshin “i mbaruar”, “i shitur”, “i vjetër për kohën”, “njeriu i pushteteve”. Sot kur Artur Zheji nuk është më, i njëjti publik, e shpall “mendimtar i rrallë”, “zë i lirë”, “analist i pakompromis”. Hipokrizia s’ka më nevojë për maska. Vdekja sërish po bën atë që e bën gjithmonë,pastron mëkatet, fshin gjurmët, lë vetëm trëndafila mbi varr.
Po ku ishit dje, ju që sot e qani me lot krokodili?
Ku ishit kur e linçonit për çdo mendim ndryshe, për çdo analizë që s’t’ju vinte për shtat?
Ku ishit kur e ndalët së lexuari, së dëgjuari, së respektuari?
Artur Zheji nuk ishte i përkryer. Askush s’është. Por ishte një mendje e mprehtë, një penë që vriste më fort se shpata, një dritë që nuk u shua kurrë nga zhurma. Ai guxoi të flasë kur të tjerët heshtnin. Dhe për këtë, e shpërblyem me përbuzje.
Sot e përmendim si “të madhin Zheji”. Është vonë.
Nuk i duhet më ai status. Ai tashmë ka heshtjen ,të vetmen gjë që s’ia dhamë kur ishte gjallë.
Ky vend ka një sëmundje të vjetër, lavdëron të vdekurit, dhe vret të gjallët.
Zheji e dinte këtë. Ndoshta e priste. Por gjithsesi foli. Dhe ja ku jemi tani, duke i lëpirë plagët që vetë ia dhamë, tani që nuk mund të na përgjigjet më.
Në fund, kjo s’është thjesht për Zhejin. Është për mënyrën si shoqëria jonë vret çdo zë që guxon të mendojë ndryshe.
Sot është Zheji. Nesër do jetë dikush tjetër.
Dhe ne? Ne do jemi po të njëjtët,sharës kur janë gjallë, qaramanë kur vdesin.
Lindim Etemi (Struga Ekspres)