Wednesday, August 13, 2025
Nabizi Gega KFC
789184-C9-03-B5-41-CF-9-D59-B2523658-B380
1ab55e5d-f5c3-470d-bec1-df1777c5234e
HomeMaqedoniIzet Mexhiti: Marrëveshja e Ohrit para 24 vitesh i dha fund një...

Izet Mexhiti: Marrëveshja e Ohrit para 24 vitesh i dha fund një konflikti të dhimbshëm dhe hapi rrugën drejt një të ardhmeje më të sigurt

Sot jemi mbledhur këtu për të përkujtuar dhe për të nderuar një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë të afërt – Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, e cila para 24 vitesh i dha fund një konflikti të dhimbshëm dhe hapi rrugën drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë qytetarët e vendit tonë.

Muaji gusht mban një simbolikë të thellë për ne – Ilindeni dhe Marrëveshja e Ohrit janë dy gurë themeli të shtetndërtimit modern të Maqedonisë së Veriut. Janë dy data që nuk duhet të jetojnë vetëm në kalendar, por në vetë ndërgjegjen tonë kolektive. Ato na kujtojnë se vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta, sakrificës dhe dialogut mund të ndërtojmë një shoqëri funksionale, të drejtë dhe demokratike.

Marrëveshja e Ohrit nuk është thjesht një dokument politik. Ajo është një akt vizionar, një kontratë historike ndërmjet bashkësive që jetojnë në këtë vend, një angazhim për ndërtimin e një shteti ku secili ndihet i barabartë, i përfaqësuar dhe i respektuar. Kjo marrëveshje i dha fund konfliktit të armatosur dhe vendosi themelet për një bashkëjetesë të re – mbi parime të demokracisë, inkluzivitetit dhe respektit të ndërsjellë.

Shqiptarët dhe maqedonasit – por edhe të gjitha bashkësitë tjera etnike – nuk janë thjesht pjesë të një shteti; ne jemi bashkëthemelues të tij. Ne nuk mund të shmangim njëri-tjetrin, dhe as nuk duhet të provojmë. Jemi të thirrur të jetojmë së bashku, të krijojmë së bashku, të ndajmë përgjegjësitë dhe sukseset, të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët për brezat që vijnë. Kjo nuk është një detyrë – është një mundësi historike!

Nëse ka një mësim që historia jonë e përbashkët na mëson, është se vetëm përmes bashkëpunimit, dialogut dhe besimit të ndërsjellë mund të ndërtojmë institucione funksionale dhe një shtet që i shërben qytetarit. Marrëveshja e Ohrit është udhërrëfyesi ynë për të ardhmen – dhe ajo na mëson se orientimi i përbashkët është garancia e vetme për suksesin tonë të përbashkët.

Maqedonia e Veriut po hyn në një fazë të rëndësishme demokratike – zgjedhjet lokale të 19 tetorit. Siç është e natyrshme në çdo shoqëri pluraliste, tensionet politike mund të rriten, por ne kemi detyrimin që përmes maturisë institucionale dhe përgjegjësisë politike të ruajmë unitetin dhe stabilitetin.

Nuk jam këtu për të nxitur ndasi, as për të bërë retorikë politike. Jam këtu për të dëshmuar se përgjegjësia më e madhe që kemi është ndaj qytetarëve tanë. Qytetarët presin punë, jo zhurmë. Ata presin zgjidhje, jo justifikime. Dhe unë mbetem i përkushtuar që të punoj çdo ditë në këtë drejtim.

Le ta kujtojmë Marrëveshjen e Ohrit jo vetëm si një moment historik, por si një obligim të përhershëm për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më të barabartë dhe më të bashkuar.

Shtëpia jonë e përbashkët është shteti ynë i përbashkët – Maqedonia e Veriut. Dhe këtë shtëpi duhet ta mbrojmë, ta ndërtojmë dhe ta përparojmë – së bashku!

Izet Mexhiti-Zv.Kryeministër i RMV-së

AS-Event
REKLAMONI KETU! REKLAMONI KETU!
AS-Event
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments