Nga Lindim Etemi (Struga Ekspres)
Rinia largohet, politikanët e vjetër dhe të pangopur prej 30 vitesh vazhdojnë t’i mbushin xhepat: A po mbetet Maqedonia e Veriut pa të ardhme?
Në Maqedoninë e Veriut po ndodh një fenomen i frikshëm: ndërsa të rinjtë largohen në masë drejt perëndimit në kërkim të një jete më të mirë, politikanët e vjetër vazhdojnë të mbushin zyrat dhe xhepat, fjalimet dhe ekranet.
Vendit po i ikin ata që duhet të ndërtojnë të ardhmen, ndërkohë që të shkuarës nuk po i jep kush “pension politik”.
Sipas të dhënave të fundit, më shumë se 700.000 qytetarë, shumica të rinj kanë emigruar.
Shkollat po mbyllen për mungesë nxënësish, spitalet po boshatisen nga mjekët e rinj, dhe në shumë fshatra dëgjohet vetëm zëri i pleqve, deri sa vijnê mërgimtarët. Ndërkohë, në Kuvend dhe në partitë politike, gati gjysma e figurave kryesore janë të njëjtat që kanë qenë në politikë që nga vitet ’90.
“Është një paradoks tragjik, Maqedonia nuk po zbrazet vetëm nga njerëzit, por nga shpresa,” thotë një profesor universitar nga Tetova. “Të rinjtë nuk ikin vetëm për pagë më të mirë, por sepse nuk shohin më perspektivë. Dhe politika nuk ofron asgjë të re.”
Ndërsa rinia përballet me papunësi, pasiguri, mungesë strehimi dhe mbështetje për ide të reja, fushatat elektorale vazhdojnë të mbështeten në retorikë të stërpërdorur: nacionalizëm, ndarje etnike dhe premtime boshe për integrime që nuk ndodhin.
Asnjë parti nuk ka një platformë të qartë për ndaljen e ikjes së trurit. Përkundrazi, disa politikanë nuk e fshehin që “migrimi është presion që zvogëlon papunësinë”, një logjikë cinike që i shndërron qytetarët në statistikë.
Me pjesëmarrje gjithnjë e më të ulët në zgjedhje dhe me votues që ndihen të braktisur nga sistemi, rreziku është real: Maqedonia mund të përballet me një krizë përfaqësimi, ku politika do të flasë vetëm për veten – sepse populli nuk do të jetë më aty për ta dëgjuar.
Maqedonia është në prag të një realiteti të zymtë, një vend i udhëhequr nga politikanë që nuk ndryshojnë, dhe i braktisur nga të rinj që nuk durojnë më. Pyetja që shtrohet nuk është më “kur do të vijnë ndryshimet?”, por “a do të mbetet kush këtu për t’i kërkuar ato?”, pêrfundon profesori.
Lindim Etemi (Struga Ekspres)