Nga Lindim Etemi-Struga Ekspres
Nuk ka më nevojë për prova të mëdha. I shohim çdo ditë me sytë tanë. Politikanë që në deklaratat e pasurisë duken si njerëz të zakonshëm, por jetojnë si milionerë. Me rroga shtetërore prej 1,500 apo 2,000 eurosh, ata ndërtojnë vila, blejnë makina luksoze, hapin biznese, dhe çuditërisht nuk figuron asgjë në emrin e tyre. Sepse janë hajdutë të sofistikuar, me kravatë, me rroga zyrtare, por me pasuri që nuk i del llogaria askujt.
Si fshihet pasuria? Me një skemë të vjetër sa vetë korrupsioni
Prona në emër të gruas. Lokali në emër të djalit. Hoteli në emër të kunatit. Toka në emër të një mikut. Kjo është formula e politikanit të korruptuar që e di mirë si të gënjejë sistemin dhe popullin njëkohësisht. Ai është i varfër në dokumente, por i pasur në realitet.
Nëse një politikan ndërton një vilë me pishinë dhe ble një Range Rover me një rrogë prej 2,000 eurosh në muaj, atëherë ose është gjeni i financave… ose po vjedh!
Pasuri jashtë shtetit: Investimet që nuk figurojnë askund
Disa prej tyre nuk mjaftohen me prona këtu. I çojnë paratë jashtë. Blejnë apartamente në Austri, hapin biznese në Zvicër apo dikut tjeter, i çojnë fëmijët në kolegje të Evropës.. Dhe kur pyeten si i kanë financuar, thonë: “me ndihmën e familjes”, “me trashëgimi”, “me kredi”. Përralla për budallenj.
Llogaritë nuk dalin: Me 2,000 euro në muaj nuk ndërton perandori
Nëse një qytetar punon 10 vjet me një pagë 2,000 euro në muaj, do grumbullojë maksimumi 240,000 euro – dhe kjo pa shpenzuar asnjë cent. Por politikanët tanë ndërtojnë dy shtëpi, blejnë tre makina dhe dërgojnë fëmijët në shkolla private. Kjo nuk është mençuri financiare – është plaçkitje!
Ku janë institucionet?
Askund. Sepse heshtja është më e sigurt se ndëshkimi. Askush nuk guxon të hetojë seriozisht, sepse zinxhiri i interesave është i gjatë, dhe i lidhur fort.
Mjaft më!
Është koha që qytetari të hapë sytë. Të mos besojë më fasadat, premtimet boshe dhe deklaratat qesharake të pasurisë. Sepse ajo që ata fshehin, është pikërisht ajo që i mungon qytetit, spitaleve, shkollave, infrastrukturës dhe jetës së zakonshme të njerëzve të ndershëm.
Lindim Etemi-Struga Ekspres