*Sipas parashikimit më të fundit nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), në periudhën prej 20 deri më 24 korrik 2025 në Maqedoninë e Veriut pritet rritje e ndjeshme e temperaturave ditore, të cilat në disa rajone mund të arrijnë deri në 41°C, transmeton Portalb.mk.
Me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë rikujton rekomandimet e përgjithshme për mbrojtjen e popullatës nga temperaturat e larta, edhe atë:
Qëndroni në ambiente të mbyllura dhe të freskëta, veçanërisht në periudhën nga ora 11:00 deri në 17:00.
Konsumoni mjaftueshëm lëngje, duke shmangur pijet alkoolike dhe ato të ëmbla.
Vishni rroba të lehta dhe me ngjyrë të çelët, dhe përdorni mbrojtje për kokën dhe sytë.
Shmangni aktivitetet fizike gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Kushtoni vëmendje fëmijëve, të moshuarve, personave me sëmundje kronike dhe grave shtatzëna – këto grupe janë veçanërisht të ndjeshme ndaj temperaturave të larta.
Në rast të simptomave si marramendje, dhimbje koke, të përziera ose rrahje të shpejta të zemrës – kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore.
Shtyni aktivitetet në ambient të hapur gjatë pjesës më të nxehtë të ditës.
Siguroni kushte mikroklimatike (ambient të freskët me temperaturë deri në 25°C) si në vendin e punës ashtu edhe në shtëpi.
“Ministria po e ndjek me kujdes situatën në baza ditore dhe do të veprojë sipas vlerësimeve dhe nevojave”, theksuan nga Ministria e Shëndetësisë.
Kujtojmë se vala e të nxehtit ka kapluar gjithë Evropën. Paralajmërime për nxehtësi ekstreme janë në fuqi në pjesë të Portugalisë, Spanjës, Italisë dhe Kroacisë, ndërsa Franca, Austria, Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Hungaria, Maqedonia, Serbia, Sllovenia dhe Zvicra po përballen gjithashtu me temperatura jashtëzakonisht të larta.