Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se, për shkak të riaktivizimit të zjarrit pranë pikës kufitare Bllacë, është ndërprerë plotësisht komunikacioni në aksin rrugor Shkup – Bllacë në të dy drejtimet. Si pasojë, është mbyllur përkohësisht edhe pika kufitare Bllacë.
“U bëjmë apel qytetarëve që të shmangin udhëtimin drejt PK Bllacë derisa të shuhet zjarri dhe të normalizohet qarkullimi. Opinioni do të informohet me kohë për çdo ndryshim,” thuhet në njoftimin e MPB-së.
Për të njëjtën situatë ka reaguar edhe Qendra për Menaxhim Kufitar në Kosovë, e cila konfirmon vendimin e autoriteteve maqedonase:
“Ju informojmë se, sipas të dhënave të pranuara nga pala e Maqedonisë së Veriut, rruga Shkup – Hani i Elezit është bllokuar për të gjitha automjetet, për shkak të zjarrit afër tunelit në territorin e RMV-së. Për çdo informacion shtesë do të njoftoheni me kohë,” thuhet në komunikatë.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të ndjekin udhëzimet zyrtare dhe të shmangin zonën deri në përmirësimin e situatës.