Çfarë tragjikomedie.
Ata që braktisën betimin para 107 mijë shqiptarëve sot janë shndërruar në shkrues të kumtesave të Artan Grubit. Sillen si rojtarë të “përfaqësimit të drejtë”, ndërkohë që e tradhtuan këtë Qeveri për një pazar personal dhe u strukën nën hijen e BDI-së.
Një grupim që mezi mbush një kiosk cigaresh në qytet nuk ka as mandat moral dhe as kredibilitet politik për të folur për barazi, kur vetë firmosën koalicion me autorët e padrejtësive dhe diskriminimit institucional ndër vite ndaj çdo shqiptari që nuk ishte pjesë e BDI-së.
Ironia është e rëndë. Nga njëra anë e quajnë projektligjin “alibi ligjore”, nga ana tjetër bëjnë thirrje që të kalojë urgjentisht në Kuvend.
Vendosni njëherë, a jeni kundër ligjit apo thjesht ju djeg që nuk jeni më në tavolinë?
Ky projektligj do të shkojë në Komisionin e Venecias që të mos përfundojë si shumë ligje të tjera që Aliu i shpallte me bujë dhe nuk gjenin asnjëherë zbatim. Madje krijonin më shumë probleme sesa zgjidhje.
Të dashur ish-bashkëpartiakë, ky ligj nuk është as i Grubit dhe as i Karakamishevës. Është pjesë e një agjende qeveritare që për herë të parë po përpiqet të rregullojë një padrejtësi të vjetër. Një padrejtësi që BDI ka pasur kohë ta zgjidhë që në vitet 2002-2003, por nuk e bëri kurrë. Sepse ata nuk kanë pasur interes për barazi, por vetëm për tendera, poste dhe pasuri personale.
Albrim Hoxha