Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar ndaj kritikave të kohëve të fundit drejtuar ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se roli i tij shkon përtej një përfaqësimi diplomatik formal.
“Ambasadori i Shqipërisë nuk ka vetëm një rol diplomatik formal, por një detyrim kushtetues dhe kombëtar për të mbrojtur interesat e shqiptarëve kudo që ndodhen, përfshirë edhe jashtë kufijve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë,” ka deklaruar Ahmeti.
Sipas tij, ky mision nuk është çështje vullneti personal, por një obligim që buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga përgjegjësia historike e shtetit shqiptar për të qenë pranë çdo shqiptari në rajon dhe diasporë.
Ahmeti ka kritikuar ata që e interpretojnë këtë angazhim si ndërhyrje, duke i cilësuar këto qëndrime si “keqkuptime të qëllimshme dhe shërbim ndaj kauzave antikombëtare”.
“Shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë nuk janë të huaj për shtetin shqiptar. Ata janë pjesë e pandashme e kombit tonë dhe meritojnë kujdesin e plotë institucional”, përfundoi lideri i BDI-së. (INA)