*Presidenti bullgar Rumen Radev dje në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova dhe presidentin shqiptar Bajram Begaj në Samitin e Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Tiranë, tha se Bullgaria nuk i ka vënë kurrë veto Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
Ai ia tha këtë Siljanovska-Davkovës pasi ajo në fjalimin e saj akuzoi se Maqedonia e Veriut se nuk ka mbështetje të mjaftueshme nga fqinjët e saj në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.
“Nuk bëhet fjalë për veto apo ngadalësim të procesit nga një vend fqinj. Flasim për sfida të brendshme që lidhen me të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Dua t’ju siguroj se Bullgaria, si vendi më i afërt, si një vend mik, ka një dëshirë të madhe dhe është e gatshme të japë një dorë për të ndihmuar, në mënyrë që udhëheqja juaj shtetërore dhe shoqëria të mund të përballen me sfidat shumë më shpejt dhe të zbatojnë kriteret e Kopenhagenit për anëtarësim. E gjithë kjo synon të njëjtin qëllim, që të gjitha vendet të bashkohen dhe të bëhen anëtare”, tha presidenti bullgar.
Ai theksoi se ekziston një Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë, Miqësi dhe Bashkëpunim nga viti 2017 dhe ai ka dy protokolle.
“Ekziston një kornizë negociuese nga viti 2022, një konsensus evropian i të gjitha shteteve anëtare dhe qeverisë së Maqedonisë së Veriut, kështu që Bullgaria nuk ka vendosur kurrë dhe nuk do të vendosë kushte jashtë asaj marrëveshjeje, jashtë kornizës negociuese dhe jashtë dy protokolleve”, tha ai.
Megjithatë, ai shtoi se ajo që ata duan të shohin është respektimi i të drejtave të njeriut brenda kornizës së Marrëveshjes.
“Ne duam që gjithçka që është në ato dokumente të respektohet sa më shpejt të jetë e mundur. Bëhet fjalë për të drejtat e njeriut, presim prej tre vitesh që procesi i pranimit të hapet dhe negociatat me Maqedoninë e Veriut të fillojnë dhe me ndryshime në Kushtetutë. Pyetja ime është pse kjo nuk po ndodh”, tha ai.
Në një konferencë për shtyp, ai arriti në përfundimin se Bullgaria, si një anëtare e BE-së prej kohësh dhe kryetare e ardhshme e kësaj iniciative, mbështet proceset me politikë të jashtme konstruktive në mënyrë që të afrohemi edhe më shumë me integrimin në BE dhe do të jemi një partner konstruktiv dhe përgjegjës në arritjen e një të ardhmeje të përbashkët për të gjithë qytetarët e rajonit.
Siljanovska-Davkova tha në Samitin e Tiranës se një pengesë serioze është bilateralizimi i procesit të integrimit nga vetë fqinjët ballkanikë, përmes abuzimit me të drejtën e vetos, kushtëzimit të identitetit dhe revizionizmit historik, dhe se këto veprime jo vetëm që ngadalësojnë procesin e integrimit evropian, por edhe përforcojnë stereotipet se Ballkani nuk është gati për Evropën.
“Kandidatët për anëtarësim, në vend të solidaritetit dhe një procesi të drejtë, po përballen gjithnjë e më shumë me pengesa për shkak të çështjeve bilaterale. Kështu, në vend të evropianizimit të Ballkanit – po dëshmojmë një trend të rrezikshëm të ballkanizimit të Bashkimit Evropian dhe kjo duhet të ndryshojë, dhe për të mirën e të gjithëve”, tha ajo.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.