Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka pritur sot në takim specializantët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Ai me këtë rast tha se mbështetja e Qeverisë së Kosovës për specializantët dëshmon angazhimin e pandërprerë dhe trajtimin e barabartë në aspektin e mbështetjes financiare për bashkëkombësit tanë.
“Në mbledhjen e kaluar të Qeverisë, u aprovua pagesa për 375 specializantë të Kosovës me vetëfinancim, si dhe 21 nga vendet e rajonit. Bashkëpunimi për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve nuk është vetëm nevojë, por domosdoshmëri e kohës dhe obligim i ynë. Me këtë qëllim, përkushtimi ynë është i vazhdueshëm dhe sa vjen e do të rritet”, deklaroi kryeministri.
Gjatë takimit, kryeministri Kurti theksoi se buxheti i vitit të ardhshëm serish do të jetë buxhet edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
“Këtë po e vazhdojmë nga viti në vit dhe po ia shtojmë edhe një milion, krahasuar me vitin aktual, nga dy në tre milionë për 2024 dhe kjo mbështetje është më e larta ndonjëherë”, tha Kurti.
Ai shtoi se me qëllim të koordinimit e kujdesit për bashkëkombësit në vendet fqinje, ka emëruar Ardita Sinani këshilltare politike dhe kanë komunikim të rregullt me përfaqësuesit politikë shqiptarë në rajon.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës më 2023 ka ndarë mjete buxhetore për mbështetje të Këshillit Nacional Shqiptar për të avokuar në qendrat vendimmarrëse, teksa ka ndarë edhe një çerek milioni euro për t’i pajisur nxënësit shqiptarë të shkollave fillore në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc me tekste mësimore në gjuhën shqipe.