Wednesday, November 27, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeMaqedoniJa kur u hapën shkollat e para shqipe në Strugë dhe në...

Ja kur u hapën shkollat e para shqipe në Strugë dhe në fshatrat e saj (FOTO)

Prof. Dr. Nebi Dervishi

“SHKOLLAT SHQIPE NË STRUGË E RRETHINË (1941-1944)”

(Shkëputur nga libri në dorëshkrim “Historia e arsimit shqip në Strugë dhe rrethinë 1941-2021)

Fati i një kombi dhe ardhmërija e tij qëndron në duart e arsimimit të brezit të ri. Paisja e rinisë me ide të shëndosha dhe sidomos të gjalla, i sigurojnë kombit një jetë të gjatë e një të ardhme të shkëlqyer, duke i rezervuar atij një vend meritor në piedestalin e kombeve të qytetruara.
Edhe pse jemi një ndër kombet më të lashta në Evropë që civilizimin dhe historinë e tij e ngriti mbi vlerat e mirfillta kombëtare, duke shërbyer si burim gllabërimesh dhe si kult stoik ku ç’dokush mundohet të përvetësojë pjesët më të vyera të tij, përsëri identitetin e ruajtëm edhe pse me shumë mund dhe sakrificë.
Nuk ka dyshim se, pamvarsishtë nga rrethanat politike-ushtarake, pavarsishtë nga situata ekonomike në një moment të caktuar, një popull a një komb, fatet e veta, prespektivën e vetë, më shum se ç’do gjë, i ka të lidhura me nivelin e arsimit e të kulturës kombëtare.
Edhe popullatën e qytetit të Strugës me rrethinë dallgët e historisë e kanë hedhur nga nji pushtim në pushtimin tjetër, gjatë epokave të ndryshme historike. Në vitet 1918-1941, atë e gjeti të pushtuar nga Mbretëria S.K.S (Mbretëria e Jugosllavisë). Gjendja e popullatës shqiptare ishte tepër e vështirë. Sistemi dhe aparati shtetëror ushtronin dhunë të pandërprerë ndaj popullatës civile, shqiptare të pambrojtur.
Për t’i realizuar idetë e tyre shkombëtarizuese dhe asimiluese në Strugë dhe rrethinë u hapën disa kurse dhe shkolla në gjuhën sërbe. Kjo mënyrë e shkollimit të shqiptarëve nga ky rajon, konsiderohej si zhdukje përfundimtare e elementit reaksionar shqiptar që në djep; pra, që në moshën fëmijrore dhe kalitja e tyre me ide pro serbe.
Edhe pse nën forcën e dhunës edhe ky synim i qarqeve sllave, u pa se po dështon, pasi idetë nacionaliste tek shqiptarët ishin të pranishme më shumë se kurrë.
Niveli i shkollimit në Strugë e rrethinë ishte tepër i ulët dhe si rezultat analfabetizmi ishte dukuri e cila ishte e përhapur në më se 98% të popullsisë së kësaj krahine.
Shihej qartë që sigurimi i kuadrit vendas në listën organike të arsimit në këto vite (1941 – 1944), ku mund të inkuadroheshin vetëm dy struganë (Belul Efendiu Kadiu (Jusufi) dhe Mehmetali Hoxha), ishte i pamundur.
Të gjitha këto detyra dhe obligime, të cilave iu mëshua fort, i’u dhanë arsimtarëve kryesisht nga Elbasani, Korça, Pogradeci, Durrësi etj. Emrin e bukur e kuptimplotë misionar të arsimit në mjedisin mikpritës strugan, të etur për emancipim shoqëror, për flamur të Skënderbeut e për Shqipërinë etnike, vlera këto që u’a lehtësuan barrën e përgjegjësisë qytetare e profesionale, ata jo vetëm që e përmbushën, por edhe e tejkaluan.
Hapja dhe shtrirja e shkollave shqipe në Nënprefekturën e Strugës u kondicionua sa nga numri i paktë dhe i papërshtatshëm i lokaleve ekzistuese, aq edhe nga mungesa e mjeteve financiare të domosdoshme për ngritjen dhe meremetimin e objekteve të tjera.
Në shumë fshatra me popullsi homogjene shqiptare objektet shkollore ose mungonin ose ishin lënë të papërfunduara nga qeveria e Beogradit, e cila me politikën e saj diskriminuese privoi shqiptarët dhe privilegjoi pakicat serbe të vendosura këtu.
Në rrethana të tilla barra më e rëndë i mbeti pushtetit lokal, Bashkisë së Strugës dhe 12 komunave të tjera, por pati fshatra që shfaqën dëshirë për ndërtimin e shkollave sipas udhëzimeve që do t’u jepeshin. Bashkia e qytetit të Strugës mezi gjeti një ndërtesë private për shkollë, afër lagjes ortodokse, kurse objekti ekzistues me dy kate e dhjetë auditore mbahej arbitrarisht nga ushtria italiane, e më pas, për disa muaj, edhe nga ajo gjermane.
Për këto arsye, viti shkollor 1941/42 filloi jo në shtator, por aty nga mesi i dhjetorit, megjithëse vendimi i takon datës 1 tetor të vitit 1941.
Shkollat e para shqipe u hapën në Strugë (“Kongresi i Manastirit”), në Labënishtë, në Livadhi, në Belicë të Poshtme, në Radohozhdë, në Veleshtë, në Ladorisht etj. Gjatë këtij viti shkollor u angazhuan 16 mësues, midis tyre tri femra, të cilët edukonin e arsimonin në gjuhën shqipe 895 nxënës, nga këto 338 femra. Shkollat në Livadhi (11 dhjetor 1941), në Koroshishtë (7 maj 1942) dhe Kalishtë (11 maj 1942), i hapën dyert vetëm për vogëlushët e klasës së parë, me klasa paralele kolektive. Me cikël 4 – 5 vjeçar punonin shkollat e Belicës së Poshtme dhe Rodohozhdës (I – IV), Strugës e Labënishtës.
Të gjitha shkollat fillore ishin të përziera, me një epërsi të dukshme të meshkujve. Probleme të mëdha kishte shkolla “Kongresi i Manastirit” në Strugë, e cila pothuajse e kishte të pamundur për të përballuar dhe përfshirë numrin e madh të nxënësve, ndërkaq për kushte më të mira mësimi u veçuan shkollat në Belicë të Poshtme dhe në fshatin Radohozhdë.
Në këto shkolla, klasat nga e dyta në të pestën, u krijuan me ata nxënës që kishin ndjekur shkollat fillore katërvjeçare sllave. Duke u ndalur rreth këtij fenomeni specifik, revista “Shkolla Shqiptare”, shpjegon: “Ndoshta këto klasa nuk mund të përkojnë me ato që kanë kryer të rinjtë në shkollat sllave, p.sh., një fëmijë që ka mbaruar klasën e tretë do të ndjekë mësimet e klasës së dytë, në qoftë se shihet se nuk mund t’i ndjekë si duhet mësimet e klasës së tretë, por në disa raste mund edhe të ndjekë klasën e vet rregullisht. Kjo punë mbetet në dorë të arsimtarit të ndërgjegjshëm që gatuan brumin e arsimit. Kështu kanë me u kryer klasa të rregullta”.
Nga sa shihet, formimi i klasave përbënte një problem të komplikuar, veçanërisht të vështirë për mësuesit kursistë. Klasat përmblidhnin grupmosha të ndryshme, brenda kufijve të Ligjit mbi Arsimin Fillor të Detyruar, nga 6 deri në 15 vjeç. Mësuesi u la i lirë të vendosë vet, në përputhje me nivelin e perspektivën e secilit nxënës, nëse “x” apo “y” prej tyre do të ndiqte këtë apo atë klasë.
Në vitin shkollor që pasoi, 1942/43, dora-dorës, gjeografia e shkollave pësoi ndryshime në Strugë. Kështu, shkolla të reja u hapën në Koroshishtë (7 maj), në Kalishtë (11 maj), në Borovec, në Podgorcë (22 dhjetor “Iljaz Podgorca”), e në vitin 1943 në Frëngovë e Dollogozhdë. Në shkollën e fshatit Veleshtë, gjatë vitit shkollor 1942/43, frekuentonin edhe fëmijët e fshatit Dobovjan. Numri i mësuesve dhe i nxënësve në 12 shkollat arriti përkatësisht në 28 mësues (8 femra) dhe 1381 nxënës, prej të cilëve 439 femra. Pra, krahasuar me vitin e parë shkollor, numri i nxënësve u rrit për 1,5 herë.
Edhe pse në rrethana lufte e varfërie të skajshme, këto shkolla mbijetuan me sakrifica të shumta. Por, pas kapitullimit të italisë fashiste (8 shtator 1943) dhe me vendosjen në Shqipëri të pushtetit të ri, nazifashizmit gjerman, situata politike dhe ekonomike u përkeqësua më tej.
Ndërkohë, Bashkia e Strugës harxhoi 16 mijë franga shqiptare për meremetimin e shkollës së qytetit, të dëmtuar nga ushtria gjermane.
Për mungesë lokalesh ishte në dilemë, së paku deri në fund të shkurtit 1944, fillimi i mësimit edhe në fshatrat Veleshtë e Dollogozhdë, ndërsa në Frëngovë dhe Borovec shkollat u mbyllën.
Përveç shkollave fillore, Ministria e Arsimit, më 12 nëntor 1943, dha pëlqimin për hapjen e një shkolle profesionale edhe në Strugë. Ajo, gjatë vitit mësimor 1941/42, nuk kaloi caqet e një kursi gatimor me nxënës që kishin kryer ish shkollën fillore jugosllave. Nëse nxënësit pajiseshin me dëftesa, fitonin të drejtën për të hyrë në klasat e para të shkollave të mesme që do të hapeshin në vitin shkollor 1942/43.
Arsimi parashkollor dhe ai i mesëm u anashkaluan me kërkesa e premtime të ndërsjella nga baza e qendra. Shkolla private dhe të huaja nuk u hapën, ndërsa shkollat fillore serbe të paraluftës, këto vatra antishqiptare, kudo u mbyllën.
Në fshatrat me popullsi joshqiptare, sipas Misionit Shkollor, dikasteri i arsimit mund të dërgonte një ose dy mësues shqiptarë të cilët të mos njihnin sllavishten, e për vitin e parë të mësohet vetëm gjuha shqipe. Kështu, shkolla nuk nuk do ta humbte vazhdimësinë, shqipja do të hynte menjëherë si gjuhë zyrtare, ndërsa sllavishtja do të fillonte të zhdukej. Pikërisht ky është shqetësimi që e shtyn I. Kalanoskin (maqedonas) të thotë: “Në vitin 1942, në kuadër të denacionalizimit, në Strugë dhe rrethinë u morën masa serioze edhe për organizimin e shkollave ku mësimi duhej të zhvillohej në gjuhën shqipe dhe në frymën e ideologjisë fashiste, ndërsa fëmijët maqedonas, për herë të parë dhe në mënyrë obliguese duhej të regjistroheshin në shkollat shqipe”. Ndërsa në vijim ai shton: “Në disa fshatra të Strugës ka pasur rezistencë rreth hapjes së këtyre shkollave në gjuhën shqipe”, pohim ky që i shkon për shtati autorit për fshatrat me popullsi maqedonase.
Ndryshe nga sa parashikonte Ligji mbi Arsimin Fillor, me qëllim që të krijohej hapësirë më e gjerë arsimimi në gjuhën shqipe, me Dekret Mëkëmbësor, 20 nëntor 1941, vetëm përgjatë dy viteve mësimore (1941/42 dhe 1942/43) u tolerua mosha e pranimit të fëmijëve në klasën e parë fillore, nga mosha 6 – 9 vjeç dhe detyrimi shkollor nga 13 deri në 15 vjeç./ Rrjedhimisht, nxënësit që ishin pajisur me dëftesë lirimi të shkollës fillore katërvjeçare jugosllave, në qershor të vitit 1941 iu nënshtruan klasës së pestë fillore sipas rregullimit shkollor shqiptar. Nga ky detyrim u liruan të gjithë ata nxënës që provonin me dëshmi shkollore të posaçme se kishin ndjekur rregullisht kurset përgatitore pranë shkollave të mesme të themeluara në viset e aneksuara.
Në planprogramet e shkollave fillore shënohen këto lëndë:
1. Gjuhë shqipe (këndim, shkrim, ushtrime të foluri e gramatikë, shkrim e ortografi, hartim);
2. Aritmetikë dhe elemente të gjeometrisë;
3. Njohuri më të rëndësishme nga historia e gjeografia si dhe tema mbi atdheun, kombin, shtetin me rrethin e Perandorisë italiane;
4. Kallzime e lexime me brendi morale e patriotike, njohuri mbi rregullimin e shtetit, detyrat e të drejtat e njeriut dhe të qytetarit shqiptar fashist;
5. Dituri natyre dhe higjienë;
6. Vizatim;
7. Punëdore;
8. Këngë;
9. Edukatë fizike;
10. Bujqësi (në klasë të tretë dhe të katërt, e cila zinte një vend të gjerë në program, në përshtatje me profilin bujqësor të vendit ku ndodhej shkolla).
Siç shihet, programi nuk përfshinte asnjë orë mësimi në gjuhë të huaj, përfshirë dhe italishten.
Mësimi i besimit (religjionit) mund të zhvillohet dy herë në javë, jashtë orarit mësimor dhe vetëm në gjuhën shqipe.
Fillimi dhe struktura e vitit shkollor 1941/42 nuk përkonte me atë të prefekturave të tjera të Mbretërisë Shqiptare (Tiranë, Korçë, Vlorë, Elbasan, Gjirokastër e Berat), ku për shkak të gjendjes së luftës (italo-greke) e të veprimeve ushtarake shkollat u mbyllën përkohësisht apo u pezulluan. Ndërsa në këto qarqe viti shkollor i jashtëzakonshëm, 1941 – 1942, zgjati 10 muaj dhe u nda në dy pjesë: 1 shtator 1941 – 15 janar 1942 dhe 1 shkurt 1942 – 30 qershor 1942. Në Nënprefekturën e Strugës ky vit shkollor zgjati 9 muaj. Ai u përpjesëtua në tre tremujorë, duke filluar kah mesi i nëntorit dhe duke përfunduar në fund të qershorit të po këtij viti.
Realizimi i planit mësimor u orientua në dy kufij, në atë maksimal për shkollat në tre fuqi mësimore dhe atë minimal, të reduktuar, për ata me një ose dy të tilla. Duke marrë parasysh veçoritë e këtyre shkollave, Ministria e Arsimit linte në kompetencë të inspektorive arsimore që për tri vite shkollore të njëpasnjëshme të shpallë rregulla dhe udhëzime tranzitore për zbatimin e programit të mësimit.
“Puna ndryshon krejt në shkollat e atyre qendrave të pakta – tërhiqte vëmendjen “Shkolla Shqiptare” – ku shqipja është varfëruar mjaft prej përzierjes së fjalëve turqisht e pak sllavisht. Në shkollat e kësaj dore nuk mund që njëherë për njëherë të aplikohet as programi e orari i lëndëve mësimore të paraprirë për shkollat e tjera e as teknika e zakonshme e çdo mësimi. Prandaj mësuesit që veprojnë në ato, gjenden para një pune krejt të re e mjaft të vështirë”.
Niveli i njohurive cenohej jo vetëm nga ky fakt dhe nga defektet e shkollave me klasa kolektive dhe heterogjene, por edhe nga mangësitë dhe vonesat në sigurimin e shpërndarjen e teksteve. Madje, familjet e varfëra nuk kishin mundësi t’i blejnë tekstet shkollore për fëmijët e tyre. Vërehej gjithashtu edhe vakuumi i plotë i bazës materiale didaktike etj.
Vlerësimi i nxënësve bëhej mbi bazën e sistemit me katër nota: 1- shumë mirë, 2-mirë, 3-mjaftueshëm, 4- pamjaftueshëm, çka ndryshonte me atë që thuhej në Ligjin mbi Arsimin Fillor të vitit 1942, ku fiksohej klasifikimi me 10 nota e më e ulta ishte njëshi.
Drejtimi dhe organizimi i procesit mësimor-edukativ në Nënprefekturën e Strugës kryhej nga Drejtoria Didaktike me titullarë, përkatësisht: M. Bekteshi, Gani Dahiu, Mehmet Daihu, ndërsa në shkolla, nga drejtorët e drejtuesit: F. Pajuni, B. Hoxholli, Dalip Zendeli, Nos Topalli, Hamit Pitja e i. Sejfullai.
Drejtoria Didaktike, me varësi nga inspektoria e Arsimit në Dibër, krahas ndihmës e kontrollit në shkolla, herë-herë organizonte konferenca pedagogjike, kurse për gra, hapte ekspozita me punimet e tyre etj.
Punë e lëvdueshme u krye edhe jashtë shkollës, si në qytet edhe në fshat. Për nga lloji i vet, jehonë të veçantë pati manifestimi gjimnastikor që u organizua më 14. V. 1942 në Tetovë, me pjesëmarrjen e nxënësve të pesë qyteteve të Prefekturës së Dibrës.
Sipas njoftimeve të publikuara në gazetën “Tomorri”, manifestimi zgjati dy orë dhe u ndoq nga 6000 shikues. “Tetova gjëmoi nga kënga dhe britmat që morën dhenë”. (“Tomorri”, 23. V. 1942)
Nuk munguan edhe nisma tjera të bukura e me vlerë patriotike. “Me nxënësit u organizuan shfaqje argëtuese në popull, me qëllim që të lartësohet shpirti kombëtar. Këto shfaqje janë zhvilluar ndër festa e ndër ditë të rastisura e kanë pasur për qëllim për popullin një nxitje edukative mjaft të dukshme, sidomos sa i përket rrënjosjes së ndjenjës kombëtare”.
Shfaqje argëtuese iu kushtua edhe përfundimeve të viteve shkollore, zakonisht në muajin qershor.
Nuk mund të kuptohen këto shkolla pioniere pa kontributin kolektiv e shpirtin arsimdashës të struganëve e pa karakterin kombëtar të tyre. Historia e këtyre shkollave që hodhën farën e arsimit shqip në Nënprefekturën e Strugës gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, mbajnë nënshkrimin e 70 arsimtarëve që punuan aty në intervale të ndryshme kohore, ndërsa një pjesë gjatë viteve 1941 – 1944, si: Dalip Zendeli, Hasan Belshaku, Gjylhere Belshaku, Faik Pajuni, Hysen Pajenga, Gani Dahiu, Telha Çela, Bexhet Hoxholli, Artemisa Hoxholli, Jonuz Balla, Skënder Hoxha, Enver Palluqi, Gjergji Bullti, Theofan Dokja, Erijeta Panduri, Afërdita Mançi, Liri Topalli, Mehmet Dahiu, Hysen Hoxha, Eleni Dasho, Belul Jusufi (Strugë), Nexhip Minarolli, Mustafa Katadri, Pandi Treska, Afërdita Deliana, Dedë Shala, Tefta izgari, Marika Shala, Hamit Pitja, Shpresa Kenzi, Theodora Pisha, Mahmut Torro, Syrija Minarolli, Qemal Matraxhiu, Uran Zaharia, Afërdita Minarolli, Hysen Ekmeçiu, Nos Deliana, Mehmetali Mustafa (Strugë), Afërdita Gjylapi, Vera Xhelo, Fatushe Çerekja, Marie Dashi, Violetë Monçi, Alush Baltëza, Liri Ekmeçiu, Sofika Stavre, Tomor Starova, Agim Shqera, Nos Topalli, Fevra Pisha, Theodor Thoma, Piro Trebicka, Todi Dhamo, Qerim Hoxha, ismail Matraxhiu, Mexhit Bekteshi, ibrahim Sejfullai, Gani Doni, Dehar Hoxha, Risto Kavaja (Strugë), Sadete Hashimi, Afërdita Goroshnjaku, Sefedin Shahini, Perikle Bebi, Xhafer Narazani etj.
“Në skemën e piramidës së nëpunësve, në shkallë më të ulët qëndronin arsimtarët. Për të lehtësuar deri diku jetën e vështirë ekonomike, kur kishte shtrenjtësi dhe mungesë të theksuar produktesh ushqimore, madje disa të racionuara, edhe një farë shpërblimi nuk iu dha në rregull njësoj e kudo arsimtarëve, gjë që arsyetohej me gjendjen e varfër financiare të bashkive e të komunave”.
Ministria e Arsimit iu suall këtij problemi dhe në dhjetor të vitit 1941 i bëri të ditur kryesisë së Këshillit të Ministrave: “Duke marrë në shqyrtim të imtë kërkesën rreth gjendjes ekonomike të Kosovës e Dibrës…, që të eci puna e kërkuar me aq zell e flijim, na duhet sot t’u përgjigjemi mundësisht sa më parë nevojave të ngutshme ekonomike në të cilën ndodhen këta mësues. Rroga e tyre e pamjaftueshme për përballimin e jetesës ka mbetur e pandryshueshme… Lutemi – vazhdon ajo, që kjo çështje të gjejë zgjidhje të shpejtë e të mundshme në favor të arsimtarëve, në analogji me trajtimin ekonomik që do të kenë nëpunësit e administratave të tjera”.
Rreth këtij problemi, me qëllim sensibilizimi të opinionit, u shfaq edhe shtypi i kohës. “Duam me besue – thuhet në artikullin “Struga për arsim” – në atdhedashurinë e shpirtin e sakrificës së tyre si dhe bujarinë e bashkisë, për ata të qendrës, të katundeve për mësuesit e vet, për me u dhënë përkrahjen e pakursyer jo vetëm si në vitet e kaluara, por edhe më të madhe në lidhje me shtrenjtësinë e jetesës.
Megjithatë, ata u shquan si mësimdhënës e edukatorë, veprimtarë e propagandues të çështjes kombëtare, përkrahës të luftës antifashiste, duke lënë kështu një emër dhe imazh të pashlyeshëm të misionarit të shenjtë, të atyre që e hodhën farën e arsimit në trevën e Strugës e më gjerë.
Dhe me të drejtë gazeta “Tomorri”, do të prononcohet: “Një vit pune i mësuesve të këtyre anëve, duhet të shkruhet me shkronja të arta në jetën e këtyre vendeve”.
Pushtimi fashist i vendit, siç dihet, u shoqërua jo vetëm me terror e dhunë të egër, por dhe me një tok masash në thelb demagogjike, siç ishin “bashkimi” nën një çati shtetërore I pjesës më të madhe të trojeve etnike, në një kohë që vetë shteti shqiptar kishte pushuar së qëni subject i pavarur, hapja e shkollave dhe gazetave shqipe, mësimi e përdorimi i lirë i gjuhës shqipe, etj…. Të gjitha këto krijuan një gjendje të re; madje në disa aspekte, përfshi këtu edhe arsimin, me kushte mjaftë lehtësuese e favorizuese në raportë me regjimin e mëparshëm të Karagjorgjeviqëve. Por, pikërishtë këtu qëndronte edhe kompleksiteti i situatës së krijuar, nga kuptimi I së cilës do të varej shumë ecuria e proceseve historike, orjentimi dhe përcaktimi i rugës që do të ndiqnin shqiptarët për të realizuar aspiratat kombetare.
Në rrethanat e krijuara ishte e nevojshme të sigurohej parasegjithash një kuptim i drejtë i thelbit të ndryshimeve të ndodhura në vend, për të arritur pastaj në një ndërgjegjësim e angazhim të popullsisë shqiptare në procese politike që ndikonte momenti historik.
Në situatën e krijuar dy elementë thelbësorë hitorikë e politikë eveidentoheshin në mënyrë të qartë. Politika shkombtarizuese e ndjekur për dekada nga shovenistët serbë kishte goditur rëndë arsimin, gjuhën dhe kulturën shqiptare. Shqiptarët si popullsia më e diskriminuar në mbretërinë jugosllave, ishte privuar dhe nga e drejta elemntare e shkollimit në gjuhën amtare. Tani shtrohej detyra urgjente që masat e marra nga okupatori, pavarsisht nga qëllimet dhe objektivat që synonte ai, të shfrytëzoheshin maksimalisht nga subjekti shqiptar, të gjuhës, të historisë e të kulturës kombëtare, duke patur parasysh se ato përfaqësojnë tiparet thelbësore të një kombi, elementet bazë, pa të cilat nu8k mund të rrojë e të përparojë një komb, nuk mund të realizojë aspiratat e veta kombëtare.
Por, në momentin e dhënë, vetëm kjo nuk mjafton. Popullsia shqiptare dhe subjekti politik shqiptar që veprontë në këtë rrafsh duhet të kuptonin e të ndërgjegjësoheshin se në momentin actual para tyre shtrohej dhe një detyrë tjetër po kaq e madhe e patriotike, organizimi dhe pjesmarrja active në Luftën Antifashiste. Këto detyra primare, që ushqenin dhe fuqizonin njëra tjetrën, duheshin trajuar e realizuar në unitet të padarë dhe në funkcion të zgjedhjes së çështjes kombëtare.
Pikërisht në këtë kuptim e përgjegjësi nisën përpjekje intensive të forcave arsimdashëse, por edhe atyre politike, për organizimin e arsimit shqip dhe hapjen e shkollave shqipe në “viset e liruara”. Këto përpjekje çuan shpejt në rezultatin e shumpritur. Qysh në vjeshtën e viit 1941 nisi hapja e shkollave shqipe në Prefekturën e Dibrës (Strugë, Dibër, Kërçovë, Gostivar e Tetovë). Kështu shumë shpejt u krijua një rrjet i gjërë shkollash fillore e më pas edhe të mesme. Për kordinimin e punës u krijua një komision i jashtëzakonshëm enkas për “Viset e liruara”, që ndiqte hapjen, kompletimin dhe funkcionin e shkollave dhe kurseve në gjuhën shqipe. Për kushtet e atëhershme , pjesëmarrja në shkolla e kurse ishte mjaft e mirë. Sipas të dhënave, në kohën e pushtimit, në viset e “liruara” u arrit të organizoheshin 173 shkolla fillore në gjuhën shqipe, tri shkolla të mesme dhe disa gjimnaze të ulta. Në këto kishte gjithsej 267 paralele ku mësimin e zhvillonin 264 mësues dhe 13.665 nxënës (A.Hadri, Lëvizja NÇ,116).
Hapja e shkollave shqipe shtroi nevojën e plotësimit me kuadrin e nevojshmëm arsimore, i cili në këto vise ishte i pakët e pamjaftueshëm. Kësaj nevoje ju përgjigjën, veç kuadrove vendase, dhjetra mësues të ardhura nga vise të ndryshme të Shqipërisë, nga Elbasani, Shkodara, Korça, Gjirokastra, Tirana, Pogradeci, Kruja e Burreli, Vlora e Durrësi.
Kështu më 6 korrik 1941 u nis nga Tirana për në Dibër (që ishte caktuar edhe qendër e administratës së Prefekturës) një komision arsimor, rreth të cilit u mblodhën 42 arsimtarë që do të punonin në viset shqiptare në Prefekturën e Dibrës. (Musa Kraja, “Mësuesit për kombin shqiptar”, Tiranë, 1993,fq.441). Më 8 korrik Komisioni i përbërë nga Kol Gashi, Mexhit Bekteshi, Patër Elezi nga Elbasani dhe Selim Aliu zhvilloi mbledhjen e parë nën drejtimin e zavendës-kryetarit Emin Çomo. Më pas eredhi këtu edhe fadil Repishti që ishte kryetar i grupit. Entuziazmit dhe interesimit të banorëve, mësuesit e ardhur nga Shqipëria ju përgjigjen me një punë këmbëgulëse e plot passion për organizimin e zhvillimit të shpejtë të arsimit shqip, për zgjerimin e numrit të nxënësve të shkollave. Në zonën e Kërçovës, gjithashtu u organizua e u gjallërua jeta mësimore e kulturore në mjaft shkolla, në mesin e të cilave nisi të dallohej shkolla “Kastriotët” ku punonin mësuesit Mahmud Dumani, Violeta Kote, Antoneta Sherko (Po aty). Mësuesit pishtarë të ardhur nga Shqipëria u pritën me nderime e entuziasëm edhe në Tetovë, Gostivar, Dibër dhe në Strugë. Mësuesit e apasionuar si Faik Pajuni, Skender Hoxha, Enver Paluqi, hysen Panjenga, gjylhere e Hasan Balshaku, Telha Çela, Mehmet Dahiu, Dalip Zeneli, Skender Tupe, Nexhip Minarolli, todi dhamo, tomor Starova, Bexhet Hoxholli, Qemal Haxhihasani, Dhimitër Fullani, Myrteza Kacadej, pavlina Frashëri, etj. Që nisën punën në këto vise u bënë figura të dashur e të respektuar për shkak të angazhimit e të përkushtimit në organizimin mbi baza kombëtare të shkollave shqipe.
Mësuesit e ardhur nga shqipëria ju përgjigjen menjëherë apelit të forcave politike e arsimdashëse. Në këtë ndërmarrje fisnike ata u frymëzuan nga ndjenjat patriotike, nga preokupimi për fatet e kombit për të ardhmen e vendit. Shumica e mësuesve të ardhur këtu ishin dhe veprimtarët të dalluar, shoqëror, me një eksperiencë dhe në fushën e organizimit politik, të fituar në përpjekjet për organizimin e rezistencës antifashiste në Shqipëri. Madje një përpjekje për organizimin e rezistencës antifashiste në Shqipëri. Madje një pjesë e mirë e tyre kishin ardhur këtu me orientim të Lëvizjes Antifashiste nacionalçlirimtare, të armatosur dhe me platëformën e saj atdhetare. Kjo ua shtonte atyre përgjegjësit dhe mundësit për të milituar në radhët e popullsisë shqiptare këtu, të etur jo vetëm për dije e kulturë, por dhe për liri e pavarsi.
Kuadri arsimor i ardhur nga Shqipëria shfrytëzoi dhe mjeshtri detyrën e mësuesit për të forcuar tek nxënësit ndërgjegje kombëtare. Në shkollë atyre u flitej për historinë, traditat, të shkuarën e lavdishme, për luftrat e parreshtura të polullit për liri e pavarsi. U flitej gjithashtu dhe per gjendjen e rëndë në të cilën vendi nën pushtimin fashist dhe nevojën e organizimit të Luftës Antfashiste kundër tij. Gradualisht, me rritjen e ndërgjegjes revolucionare, nxënësit filluan të aktivizoheshin në kryerjen e detyrave të caktuara, si korierë e ndërlidhës, në shpërndarjen e trakteve e në gjurmimin e spiunëve, në shoqërimin e ilegalëve e në grumbullimin e informative. Edhe mbledhjet e prindëërve shfrytëzoheshin për të propaganduar idetë dhe qëllimet e Luftës Antifashiste.
Me punën e palodhur e vetmohuese të kuadrit të ardhur nga shqipëria e të kuadrit vendas, u arrit që shkolla shqipe të bëhej një vatër e zjarrtë e arsimit dhe edukimit të brezit të rid he një qendër e lëvizjes revolucionare e nacionalçlirimatre. E vetëdishme për misionin dhe detyrat që kishin, shkolla diti të organizohej e të organizohej drejt një rezistence active kundër regjimit të pushtimit. Kjo rezistencë gjeti shprehje fuillimisht në kundërshtimin e programeve politike e të aktiviteteve kulturore me karakter e përmbajtje fashiste, për t’u vënë më pas në ballë të demostratave e të përleshjeve me forcat pushtuese. Kjo situart që bëhej gjithnjë e më konfliktuoze e më dramtike, i shqetësoi së tepërmi organizmat e regjimir kuisling, të cilat u përpoqën ta problematizonin e ta ndryshonin me abatimin e masave të rrepta ndaj mësuesve e nxënësve. Kështu, Ministria e Arsimit, me qarkoren e lëshuar më 16 prill 1943 u kërkonte prindërve të nxënësve që të ndikojnë tek fëmijët e tyre, “për ta shpëtuar shkollën-shpirtin e kombit” (AQSH Fon. Ministria e Arsim it, Qarkore, dt,16.04.1943), Kurse në një qarkore tjetër të lëshuar më 09.VII.1943, ajo urdhëronte në mënyrë të prerë që “nxënësit nuk duhet të merren me politikë por t’i përqëndrojnë fuqitë e veta në mësim” (po aty, qarkore e Ministris së Arsimit, dt. 9.VII.1943)
Nga ana tjetër, organet e dhunës, në lidhjen e tyre, ndiqnin me vëmendje punën e shkollave dhe goditnin herë pas here arsimtarët dhe punojsit e arsimit, që dyshoheshin se zhvillonin veprimtari kundër regjimit të pushtimit. Kështu, në janar të vitit 1943 Ministria e Punëve të Brendshme njoftonte Ministrinë e arsimit se “autoritetet e sigurimit në Dibër kanë arrestuar inspektorin e arsimit të atjeshme, Zot Beqir Kaçi, masi është vërtetuar se zhvillonte aktivitete atifashiste” *AQSH, Fondi 252, viti 1993, dos, 164).
Por, këto masa nuk lëkundën e nuk dobësuan veprimtarinë atdhetare e revolucioanre të mësuesve patriotë e të nxënësve të tyre, e për rrjedhojë ato nuk mundën ta largojnë dot shkollën nga rruga e zgjedhur, nga rrezistenca dhe lufta e vendosur kundër pushtuesit fashist. Madje në këtë rrugë ajo shkroi faqe të reja heroizmi, duke pasuruar kështu traditat atdhetare e revolucionare në vitet e luftës së Dytë Botërore.
Në Nënprefekturën e Strugës u hapën 7 shkolla fillore të ciklit pesëvjeçar, me klasa me mosha të përziera, të gjitha me kuadër të ardhur. Këto shkolla filluan të funksionojnë në një hark kohor prej fundit të muajit nëntor e fillimit të muajit dhjetor të vitit 1941, si: shkolla “Kongresi i Manastirit” në Strugë, shkollat në fshatrat Ladorisht, Radohozhdë, Belicë e Poshtme, Veleshtë, Labënishtë dhe në Livadhi. Gjatë vitit 1942 u hapën shkollat në Koroshishtë (7 maj), në Kalishtë (11 maj), në Podgorcë (22 dhjetor) e Borovec. Gjatë vitit 1943 u hapën shkolla edhe në Frëngovë e Dollogozhdë.

Shkolla “Kongresi i Manastirit ” – Strugë
Shkolla “Kongresi i Manastirit” në qytetin e Strugës ishte shkollë pesëklasëshe, e hapur aty nga fundi i muajit nëntor 1941. Në vitin e parë shkollor 1941/42 shkolla punoi me këtë kuadër arsimor: Faik Pajuni (drejtor), Alipi Pajuni, Gjergji Ballati, Hasan Belshaku, Gjylhere Belshaku, Hysen Pajenga, Alush Baltëza dhe Mahmut Torro.
Në vitin shkollor 1942/43 në këtë shkollë mësimet i zhvilloi ky kuadër arsimor: Dedë Shala, Marije Shala, Afërdita Gjylapi, Antoneta Gjylapi, Telha Çela, Mehmetali Mustafa (nga Struga), Mehmet Dahiu (drejtor i shkollës).
Më 3 janar 1944, drejtori didaktik i Strugës, Mehmet Dahiu, në bashkëpunim me Bashkinë e Strugës, siguruan lokalin shkollor në ndërtesën e rojes kufitare me shtatë ambiente mësimore. Në vitin shkollor 1943/44, për shkaqe tanimë të njohura, mësimi filloi aty nga fundi i muajit janar të vitit 1944, me këtë kuadër arsimor: Dedë Shala, Alush Baltëza, Telha Çela, Mahmut Torro, Hysni Ekmexhiu, Liri Ekmexhiu, Dalip Zendeli, Artemisi Hoxholli, Violetë Monçi, Fatushe Çerekja, Marije Dashi, Liri Topalli (edukatore), Erijeta Pandi (edukatore), Tefta izgari (edukatore) dhe Bexhet Hoxholli (drejtor i shkollës).
Në kuadër të shkollës “Kongresi i Manastirit”, në vitin shkollor 1943/44 punojnë (funksionojnë) edhe tri paralele me mësim parashkollor.

Shkolla Profesionale (Zejtare) në Strugë
Këshilli Administrativ i Ministrisë së Arsimit në Tiranë, më datë 4 shkurt 1944, me vendim nr. 7, vendosi që në qytetin e Strugës të hapet një shkollë profesionale, duke hapur vetëm klasën e parë në vitin shkollor 1943/44, me 19 nxënës, e cila fillon me mësimet më 21 shkurt 1944.
Nxënësit e kësaj paraleleje mësimet i zhvillonin pranë shkollës “Kongresi i Manastirit”, ndërkaq drejtimi i saj në fillim iu ngarkua drejtorit të Shkollës “Kongresi i Manastirut”, Bexhet Hoxhollit, kurse mësues në këtë paralele ka qenë Dedë Shala.
Drejtori Bexhet Hoxholli, krahas detyrës së drejtuesit dhe sekretarit të shkollës, mbante edhe 10 orë mësim nga lëndët gjuhë shqipe, histori, gjeografi, gjeometri, shkenca, vizatim, muzikë e gjimnastikë.
Sipas disa njohurive të pakonfirmuara, në qytetin e Strugës kishte funksionuar një shkollë profesionale që në vitin 1941/42, drejtor i së cilës ka qenë Ibrahim Sejfullahu, që ka pasur të kryer shkollën normale në gjuhën turke në Manastir në vitin 1912.

Kursi për gra në qytetin e Strugës
Me nismën e drejtorit didaktik të Strugës, Gani Dahiut, më 22 shkurt 1943 ishte hapur një kurs për gra në qytetin e Strugës me qëllim që të luftohej analfabetizmi në mesin e femrave. Për të rritur numrin e vijueseve të kursit, e sidomos të pjesëmarrjes të femrës të përkatësisë fetare ortodokse, drejtori didaktik Gani Dahiu, e kishte paraparë edhe arsimin funksional të femrës shqiptare, përkatësisht mësimin dhe aftësimin e saj që, krahas shkrim-leximit si dhe të nxënies së gjuhës shqipe, të mësojë edhe zejen e rrobaqepësisë (prerje-qepje). Mësimet në këtë kurs filluan rregullisht më 1. 3. 1943.
Mësimet zhvilloheshin me nga dy orë mësimore çdo ditë: një orë shkrim-lexim të gjuhës shqipe dhe një orë i dedikohej zejes së prerje-qepjes. Mësimi i punëdorës bëhej në interval kohor nga ora 15 deri në orën 16, kurse i shkrim-leximit dhe gjuhës shqipe zhvillohej në interval kohor 16 h – 17 h.
Mësimin e gjuhës shqipe e mbanin mësueset Gjylhere Belshaku dhe Marie Shala, ndërkaq mësimet e punëdorës (prerje-qepje), e mbante mësuesja Vera Xhelo, e cila kishte kryer një shkollë zejtare pesëklasëshe për prerje-qepje.
Për organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij kursi ndihmoi edhe paria e Strugës e cila grumbulloi shumën prej 1344 frangash shqiptare, si dhe siguroi inventarin (makinat qepëse) dhe një lokal të përshtatshëm në qendër të qytetit. Mësueset Marie Shala dhe Gjylhere Belshaku e mbanin mësimin e gjuhës shqipe secila nga 5 orë në javë.

Shkolla fillore “Veleshta” – Veleshtë
Shkolla fillore “Veleshta” në Veleshtë është hapur në ditët e para të muajit dhjetor të vitit 1941. Në vitin shkollor 1941 – 42, mësues i parë ka qenë Skender Hoxha nga Elbasani, i cili që më 23 tetor 1941, nga inspektorati i Elbasanit, urdhërohet me transfer për në fashatin Veleshtë, ndërkaq në vitin shkollor 1943/44, mësues pranë kësaj shkolle kanë qenë: Nexhip Minarolli, Belul Efendi Kadiu, Hamit Pitja dhe Sadete Hashimi .
Edhe pranë shkollës fillore në Veleshtë u organizuan kurse për të rritur. Kursi për rininë e mbetur jashtë shkollës si të tejmoshuar përfshinte djemtë e rritur që u kishte kaluar mosha për t’u përfshirë në shkollën fillore si të obliguar sipas ligjit.
Në virtin shkollor 1942/43 në shkollën e Veleshtës u organizuan dy kurse dhe atë: kursi i parë që fillon më 21. 11. 1942 dhe mbaron më 15. 2. 1943, me dy paralele; dhe kursi i dytë i cili fillon më 15. 2. 1943 dhe përfundon më 15 qershor 1943, poashtu me dy paralele.
Rreth organizimit të këtyre dy kurseve për të “moshuarit”, të dhënat janë nxjerrë nga raporti që drejtori i shkollës fillore në Veleshtë, Hamit Pitja, ia dërgon Ministrisë së Arsimit në Tiranë më 1943.
Sa i përket numrit të nxënësve, të dhëna kemi vetëm për vitin shkollor 1942/43, kur shkolla numëronte 187 nxënës (133 meshkuj e 54 femra).

Shkolla fillore “Ladorishti” – Ladorisht
Shkolla fillore në fshatin Ladiorisht fillon me punë aty nga mesi muajit dhjetor 1941. Mësuesit e parë kanë qenë: Islam Hoxha, dhe më pas Theofan Dokja, ndërkaq në vitin shkollor 1943/44 mësues kanë qenë: Qemal Katraxhiu dhe Sofika Stavre.
Rreth numrit të nxënësve në vitin e parë shkollor nuk kemi të dhëna, ndërsa në vitin që pason (1942/43) numri i nxënësve ka qenë 94 (79 meshkuj dhe 15 femra). Në vitin shkollor 1943/44 janë evidentuar vetëm 5 nxënës.

Shkolla fillore në Labënishtë
Shkolla në Labënishtë fillon me punë në fillim të muajit dhjetor të vitit shkollor 1941/42, me pesë klasa, dhe përfundon më 29. Vi. 1942 me 277 nxënës të regjistruar (180 meshkuj dhe 97 femra). Mësuesit pishtarë në këtë fshat kanë qenë Dalip Zendeli dhe Nexhip Minarolli nga Pogradeci.
Në vitin shkollor 1942/43 në shkollën e Labënishtës ka punuar ky kuadër arsimor: Nos Deliana nga Elbasani, Afërdita Deliana dhe Uran Zaharia gjithashtu nga Elbasani, ndërkaq numri i nxënësve ka qenë 221, prej të cilëve 88 femra.
Pranë shkollës fillore në Labënishtë, që në verën e vitit 1941, për dy muaj rresht, është mbajtur kursi i gjuhës shqipe nën kujdesin e mësuesit pishtar Dalip Zendeli.

Shkolla fillore në Radohozhdë
Shkolla fillore në Radohozhdë u hap në dhjetor të vitit 1941. Në vitin e parë shkollor (1941/42), mësuesit e parë kanë qenë Jonuz Balla e Nos Topalli nga Elbasani. Ky i fundit punoi deri në fund të vitit shkollor 1943/44.
Numri i nxënësve në këtë shkollë ka qenë: 1942/42 – 153 nxënës (69 femra); 1942/43 – 103 nxënës (48 femra); dhe 1943/44 vetëm 23 nxënës.

Shkolla fillore në Belicë të Poshtme
Shkolla fillore në Belicë të Poshtme është hapur në dhjetëditëshin e parë të dhjetorit 1941. Që në fillim të vitit shkollor 1941/42 në këtë shkollë u formuan 4 klasa me 78 nxënës (14 femra), ndërkaq mësuesi i parë ka qenë Perikli Bebija. Në vitin shkollor 1942/43 numri i nxënësve ka qenë 54, prej të cilëve 17 kanë qenë femra. Në këtë shkollë ka punuar edhe mësuesi Todi Dhamo. Në vitin shkollor 1943/44 numri i nxënësve në këtë shkollë arrinte në 19.

Shkolla Fillore “Livadhia” në Livadhi
Shkolla e parë shqipe në fshatin Livadhi u hap më 11 dhjetor 1941, me një klasë në vitin e parë, me 43 nxënës (14 femra e 29 meshkuj). Mësuesi i parë ishte pishtari i arsimit në këto anë Enver Palluqi, i biri i Beqirit, i lindur në Elbasan në vitin 1918. Ai punoi në këtë shkollë deri në fund të vitit shkollor 1943/44.
Në vitin shkollor 1942/43 në kuadër të shkollës kishte një paralele të kombinuar me klasën e parë e të dytë me gjithsej 57 nxënës (40 meshkuj e 17 femra), ndërsa në vitin 1943/44 numri i nxënësve u zvogëlua në 11.
Mësuesi Enver Palluqi pranë kësaj shkolle hapi edhe kursin për të moshuarit. Kursi i parë nisi me punë më 14 dhjetor 1941 dhe përfundoi më 31 dhjetor 1942, ndërsa kursi i dytë filloi më 14 janar 1943 dhe përfundoi më 25 qershor 1943.

Shkolla fillore në Koroshishtë
Edhe shkolla e Koroshishtës hapet në vitin shkollor 1941/42, por për shkaqe objektive mësimi fillon me një vonesë të madhe (më 7. V. 1942) dhe vazhdon gati gjatë tërë verës së vitit 1942. Mësues i parë ishte korçari Pandi Treska, i cili punon edhe dy vitet e ardhshme. Numri i nxënësve në këtë shkollë ka qenë si vijon: 1941/42 – 38 nxënës (12 femra); 1942/43 – 44 nxënës (12 femra); dhe 1943/44 vetëm 13 nxënës.

Shkolla fillore “iljaz Podgorca” në Podgorcë
Shkolla fillore “iljaz Podgorca” në Podgorcë u hap më 21 dhjetor 1942 me 113 nxënës (38 femra), me kuadër mësimor Tomorr Starova e Theofan Dokja. Në vitin shkollor 1943/44 numri i nxënësve ra në 27 vetë.
Edhe në fshatin Podgorcë, në kuadër të shkollës fillore “iljaz Podgorca”, u organizua kursi për zhdukjen e analfabetizmit për të moshuarit, numri i të cilëve, në fillim, më 21 dhjetor 1942, arrinte në 71 vetë, por deri në fund të kursit, më 31 maj 1943, numri i tyre mbeti vetëm 43. Edhe kursin me të moshuar e mbanin mësuesit pishtarë Tomorr Starova nga Pogradeci dhe Theofan Dokja.

Shkolla fillore në fshatin Kalishtë
Edhe shkolla fillore në fshatin Kalishtë u hap gjatë vitit shkollor 1941/42, por me një vonesë shumë të madhe, më 11 maj 1942, prandaj ajo punoi deri në fund të gushtit, me 36 nxënës (11 femra), me mësuesin e parë Skender Tupja. Në vitin shkollor 1942/43 numri i nxënësve ka qenë 42 (11 femra), ndërsa në vitin shkollor 1943/44 numri i tyre ra në 12 vetë, ndërsa mësues ka qenë Mehmedali Mustafa.

Historia e këtyre shkollave është pjesë e historisë së përgjithshme t ëpopullit shqiptar. Nuk mund të thuhet se këtu, në të kaluarën, s’ka pasur përpjekje për ta vështruar shkollën shqipe në lidhje me rrethanat e ngjarjet politike. Por, përpjekje të tilla, zakonisht, ishin të pamundura, sepse regjimi i egër serb nuk lëshonte klurrsesi pe. Megjithatë, vargjet e famshme të Naimit të madh:
Gjuha jonë
Sa e mirë, sa e ëmbël,
sa e gjerë, sa e lehtë,
sa e lirë, sa e bukur,
sa e vlerë ku çdo herë mbetën prezentë.
Nuk mund të kuptohen këto shkolla pionere pa kontributin kolektiv e shpirtin arsimdashës të struganëve, pa karakterin kombëtar.
Historia e këtyre shkollave që shpërthyen në Strugë e gjetiu, në rrethanat e Luftës II Botërore, mbajnë nënshkrimin e 73 arsimtarëve që punuan në këtë krahinë, në intervale kohore të ndryshme, të cilët u shquan si mësimdhënës, veprimtarë e propagandistë të çështjes kombëtare, duke lënë kështu gjurme e imazhin e pashlyeshëm të misionarit. “Një vit pune e mësuesve të këtyre anëve, – nënvizonte gazeta “Tomorri”, – duhet të shkruhet me shkronja të arta në jetën e këtyre vendeve”, jo vetëmtë tyre, shtoj unë, por edhe në historinë e shkollës shqipe.




Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!