Shtetasi Arjan Tase është autori i ngjarjes së rëndë të ndodhur mesditën e së martës në plazhin e Potamit në Himarë, ku përplasi për vdekje një fëmijë 5 vjeç teksa drejtonte mjetin lundrues, skaf.
Ky shtetas ka gradën komisar dhe është me detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka bërë të ditur se nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm hetimor për hetimin dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.
Aktualisht,ai ndodhet i shoqëruar në Komisariatin e Policisë Himarë.
Kjo është hera e tretë brenda kësaj vere që shënohen incidente me mjetet lundruese në plazhet e vendit.
Në korrik një çift u goditën nga një gomone në plazhin e Jalës, teksa mjeti lundrues tentoi të dilte në breg. Për pasojë çifti i pushuesve Agostin Sefa, 31 vjeç dhe E. GJ., 25 vjeçe, morën lëndime.
2 ditë më vonë një gomone goditi një fëmijë 7-vjeçar. I mituri mori plagë të rënda dhe u transportua në spital për ndihmë mjekësore.