Kryetari i Partisë Alternativa, Afrim Gashi ka folur për rolin e partisë pas nisjes së bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Deklarata e plotë!
“Sot, kur Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria edhe zyrtarisht po i fillojnë negociatat për aderim në Bashkimin Europian, më duhet të them – pa modesti – se më vjen mirë që edhe ne ose, më saktë, pikërisht ne, ishim çelësi që i dha stabilitet kësaj qeverie që të mund të vijë data e fillimit të negociatave. Nuk është se nuk i kam lexuar deklaratat, kualifikimet, ofendimet, madje edhe fyerjet nga qytetarë të painformuar dhe politikanë të papërgjegjshëm, që Alternativën e vendosën në tapet të sulmeve me nota të tradhtisë, atëherë kur ne e morëm një vendim të tillë. Sidoqoftë, mes kualifikimeve të tilla, jo edhe të lehta për t’u duruar, dhe shpëtimit të kombit tim e të shtetit tim, unë u përcaktova për të dytën.
Prandaj sot, kur kontributi i Alternativës po del në pah, sesi me një veprim politik u ka hapur udhë dy shteteve dhe shumë kombeve, unë dëshiroj t’i falënderoj të gjithë ata që na besuan se kishim marrë vendimin e drejtë dhe t’ju them se Alternativa, përveç që është zgjidhje (alternativë) kur nuk shihet rrugëdalja, është edhe parti që merr vendime të guximshme në kohë të vështira, duke dalë përtej interesave të saj të ngushta të politikës ditore.
Sidoqoftë, urime të gjithëve hapja e këtij procesi, me dëshirë që sa më shpejt ta shohim edhe anëtarësimin e plotë të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Europian.